Banorë të fshatit Lubozhdë të Istogut ankohen për pluhurin e zhurmën që po shkaktojnë dy gurthyes, për të cilët në Ministrinë e Mjedisit konfirmuan se u mungojnë lejet mjedisore. Banorët thanë se nuk u ka mbetur zgjidhje tjetër, pos ta lëshojnë fshatin; në Ministri u zotuan se do të kryejnë inspektime; e në gurthyes insistuan se punën po e bëjnë konform ligjit
Fare pranë shtëpive të banorëve në fshatin Lubozhdë të Istogut, dy gurthyes po zhvillojnë veprimtari në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e mjedisit.
Banorët ankohen se pluhuri, zhurma e dridhjet janë bërë të padurueshme, porse, sipas tyre, shteti nuk po iu del krah.
Pavarësisht ankesave në Polici, në Komunë të Istogut e në Ministri të Mjedisit e Planifikimit Hapësinor, ata thonë se nuk u është gjetur zgjidhje.
“Pluhur, zhurmë, shtëpitë i kemi afër këtu, nuk mundesh as të pushosh, dridhet toka kur vijnë kamionët tërë verën duke bartur zhavorr”, thotë Muharrem Haziraj, banor i fshatit.
E më shumë ankesa ka Ramë Pepaj, shtëpia e të cilit është më afër këtyre gurthyesve. Ai nuk ka më shpresë në fuqinë e shtetit.
“Rreth e rreth kemi gurthyes afër shtëpive, shumë janë duke na e dëmtuar ambientin dhe nuk po mund të marrim frymë prej pluhurit”, ka thënë Pepaj.
Një nga operatorët, “AR.Beton”, që funksionon që disa vjet në këtë fshat, ka leje për shfrytëzim të gurit gëlqeror, por jo edhe për thërrmim dhe seperim të tij.
Nga kompania nuk i janë përgjigjur pyetjes se a e bëjnë seperimin e gurit pa posedimin e lejes mjedisore, veçse janë deklaruar se veprimtarinë e kryejnë në përputhje me ligjin, ani se ndaj këtij operatori, nga Ministria, në një përgjigje për KOHËN, kanë thënë se kanë shqiptuar gjobë disa herë.
“Sa u përket ankesave që ju cekni, ju njoftoj se në zhvillojmë aktivitetin bazuar në ligjet në fuqi në këtë sektor dhe afarizmi ynë nuk duhet të varet nga vullneti i njerëzve që kanë qëllime të caktuara se kush duhet të zhvillojë aktivitet. Në atë zonë ka edhe biznese të tjera që e zhvillojnë këtë aktivitet ngjitur me ne dhe sigurisht ankesat janë të drejtuara ndaj tyre”, thuhet në një përgjigje që ky operator i ka dhënë KOHËS.
Gjobë i është shqiptuar më shumë se një herë edhe kompanisë tjetër “Guri Grup”, që është duke e përgatitur infrastrukturën për ngritjen e gurthyesit dhe e cila vazhdimisht është duke nxjerrë zhavorr, për të cilin veprim Ministria ka nxjerrë aktvendim për ndërprerje te punëve deri në pajisjen me leje mjedisore.
“Inspektorati i MMPHI-së subjektin ekonomik “Guri Grup” e ka inspektuar dhe ndaj te njëjtit ka marrë masa ligjore- aktvendim për ndërprerje te punëve deri ne pajisjen me leje mjedisore. Inspektorati i ka shqiptuar edhe masën sanksionuese gjobë ndaj kompanisë ‘Guri Grup’ dhe atë jo vetëm një herë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Nga kompania “Guri Grup” e pranojnë që nuk kanë leje për nxjerrjen e inerteve, por e mohojnë t’u jetë ndaluar puna.
“Lejen mjedisore e kemi për vendosjen e gurthyesit, por jo për të nxjerrë inertet. Kemi pasur shumë herë inspektorët, por nuk na kanë ndërprerë, sepse ekzistojnë pëlqimet mjedisore dhe kemi aplikuar për licencë. Lejen mjedisore e kemi qe tri vite”, thuhet në përgjigjen nga kjo kompani.
Më shumë se dy javë më parë, ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, është pyetur në Kuvend për të dy gurthyesit dhe ka theksuar se asnjëri nga operatorët nuk ka leje mjedisore, dhe si rrjedhojë, nuk kanë të drejtë të zhvillojnë veprimtarinë.
“Nuk ka të drejtë operimi derisa të mos pajisen plotësisht me leje mjedisore. Kjo vlen për të dy operatorët”, pati deklaruar ai.
Për veprimtarinë të cilën vetë Ministria e konsideron të jashtëligjshme dhe ka shqiptuar disa herë gjoba ndaj dy operatorëve, KOHA ka pyetur se a janë iniciuar procese gjyqësore ndaj tyre, por nuk kanë kthyer përgjigje.
“Inspektorati i MMPHI-së do të vazhdojë mbikëqyrjen e këtyre subjekteve sipas planit dhe ankesave dhe për çdo shkelje ligjore do te marrë masa”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Banorët thonë se nuk kanë shpresë se institucionet do t’u gjejnë zgjidhje.
“Ne veç me u çu prej fshatit Lubozhdë, s’kemi fuqi me e ndalë ne”, thotë banori Haziraj.
Kundër këtyre gurthyesve ata kanë dorëzuar në Ministri një peticion të nënshkruar nga 109 persona për ndaljen e punës së operatorëve, porse thonë se s’është marrë parasysh.