Në mbledhjen e radhës të Bordit të drejtorëve të Komunës së Mitrovicës, kryetari Agim Bahtiri ka kërkuar nga drejtorët e drejtorive përkatëse që urgjentisht të intervenojnë tek ministritë përkatëse për ndërprerjen e degradimit, përkatësisht ndotjes së ambientit nga dy operatorë që merren me përpunimin e vajrave motorikë.
Fillimisht Bahtiri u njoftua nga drejtorët Ismet Syla, Sami Zeka e Saad Gashi për ankesat e shumta të qytetarëve të lagjeve përreth urës lindore të lumit Ibër, pastaj të “Lagjes së Boshnjakëve” në veri të lumit, asaj “2 Korriku”, Shupkofcit, etj., që janë duke i përsëritur disa herë, për shkak të ndotjes së ambientit, përkatësisht të ajrit nga operatorë e licencuar nga ministritë përkatëse, për përpunimin e vajrave motorikë.
Madje, siç bën me dije komuna përmes një komunikate, qytetarët janë duke e nënshkruar një peticion për ndërprerjen e punës të këtyre operatorëve.
Drejtorët i thanë kryetarit Bahtiri se organet komunale kanë kërkuar disa herë nga operatorët dokumentet për punë dhe lejet e punës, por ato nuk u janë dhënë nga drejtuesit e operatorëve.
Sipas tyre, “këta operatorë zakonisht punojnë ditëve të festave, të shtunave e të dielave, si dhe natën vonë kur ka mjegull, të reshura atmosferike etj, për t’i ikur syrit të inspektorëve komunalë”.
Sidoqoftë, ata thanë në vazhdim se nuk kanë kompetenca për ndërmarrjen e masave ligjore që mund t’i detyrojnë operatorët për ndërprerjen e punës, apo zbatimin e standardeve për mos ndotje të ajrit.
Edhe
Në Mitrovicë mbyllen dy fabrika
Pikërisht, për këtë arsye, Bahtiri kërkoi nga drejtorët që urgjentisht të kontaktojnë me ministritë përkatëse dhe të marrin hapa të përbashkët për zgjidhjen e këtij problemi që i ka shqetësuar dhe indinjuar qytetarët, që, siç tha ai, “janë të mllefosur në papërgjegjësinë e drejtuesve të operatorëve dhe kërkojnë me plotë arsye ndërprerjen e këtyre aktiviteteve”.
“Nëse ministritë nuk ndërmarrin masat e nevojshme, ne duhet të gjemë rrugë të tjera ligjore për ruajtjen e ambientit dhe realizimin e kërkesave të drejta të qytetarëve, shëndeti i të çileve është duke u rrezikuar nga këta operatorë të papërgjegjshëm”, tha Bahtiri.