Arbëri

OHTK-ja kërkon mbështetje financiare, për gjendjen e rënduar me pandeminë ia lë fajin MSH-së

Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës ka kërkuar mbështetje financiare nga ministri i këtij dikasteri, Hekuran Murati, pasi sipas tyre, me masat e fundit anti-COVID po dëmtohen bizneset.

OHTK-ja ndër të tjera ka fajësuar Ministrin e Shëndetësisë për gjendjen e rënduar me pandeminë, pasi thonë se nuk ka pasur kontrolle të mjaftueshme nëse po respektoheshin masat e mëhershme.

‘’Papërgjegjësia e institucioneve përkatëse dhe neglizhenca e tyre ndaj situatës ka bërë që të jemi në këtë gjendje të cilën ndodhemi tash e sa javë, dhe për këtë nuk duhet të fajësohen bizneset të cilët thjesht kanë kryer punën e tyre, në shumicën e rasteve sipas manualeve të dala nga vet Qeveria. Edhe pse manualet janë punuar bashkarisht me përfaqësues të OHTK-së, zbatimi i tyre nuk është monitoruar nga inspektorati apo policia, dhe për këtë arsye nuk keni asnjë të drejtë t’iu vërsuleni bizneseve me mbyllje apo qytetarëve me gjoba. Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës ndonjëherë i ka përkrahur masat që kanë qenë në interes të mirëqenies së qytetarëve, edhe pse pothuajse çdoherë kanë qenë në dëm të bizneseve që i përfaqëson, mirëpo duke i parë dëmet e fundit që po u shkaktohen bizneseve që nuk kanë hapësirë të jashtme, kërkojmë nga ministri i Financave, Hekuran Murati, ose Ministria që drejton t’i mbështesin financiarisht këto biznese’’, thuhet në reagimin e OHTK-së.

‘’Reduktimi i orarit të punës ashtu siç parashihet në masat e fundit ka reduktuar të hyra dhe po shkakton shumë pengesa në funksionimin e bizneseve, e më shumë se bizneset këto masa e kanë dëmtuar fuqinë punëtore, duke i detyruar bizneset që një pjesë të tyre ta largojnë nga puna, prandaj kërkohet kompensim i menjëhershëm i kësaj kategorie. Le të shtohet numri i inspektorëve, policëve, të bëhet monitorim më i mirëfilltë, t’u kërkohet dëshmi e vaksinimit apo testit negativ në hyrje të çdo lokali apo biznesi por ASSESI mos të ketë mbyllje totale’’, vijon njoftimi i kësaj organiate.

OHTK-ja ka kërkuar nga institucionet shtetërore që para datës 13 shtator t’i shqyrtojnë këto kërkesa dhe të dalin me vendime të reja të cilat do të jenë të favorshme edhe për bizneset, si dhe sa më parë të hartohet një strategji për rimëkëmbjen ekonomike të të gjithë të dëmtuarve.