Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i ka bërë thirrje Komisionit Evropian që të angazhohet urgjentisht në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për sfidat aktuale që po ndikojnë në transportin ndërkombëtar të mallrave dhe zinxhirët ndërkufitarë të furnizimit.
Oda ka shprehur shqetësimin lidhur me çrregullimet në lëvizjen e mallrave ndërmjet Bashkimit Evropian, korridoreve rajonale të transitit dhe Republikës së Kosovës.
Oda Amerikane ka thënë se ndërprerjet nga bllokadat e kompanive transportuese po ndikojnë tek bizneset përmes vonesave në dërgesa, rrezikut të mospërmbushjes së kontratave, humbjeve financiare dhe mundësisë së humbjes së klientëve ndërkombëtarë.
“Zhvillimet e fundit, përfshirë bllokadat e vendalimeve kufitare nga shoferët e kamionëve në disa shtete të rajonit, të lidhura me zbatimin dhe fuqizimin e rregullave të reja të hyrjes në Bashkimin Evropian dhe sistemit EES po pengojnë ndjeshëm lëvizjen e mallrave. Lëvizja e lirë e mallrave dhe funksionimi i pandërprerë i transportit rrugor të mallrave janë thelbësore për garantimin e zinxhirëve të qëndrueshëm të furnizimit, mbështetjen e aktivitetit ekonomik dhe avancimin e integrimit ekonomik me tregun unik të BE-së”, thuhet në reagimin e OEAK-ut.
Oda ka theksuar se në vazhdimin e një situate të tillë ka mundësi të rritjeve të çmimeve për konsumatorët.
“Duke pasur parasysh varësinë e lartë të Kosovës nga importi dhe transitimi përmes korridoreve rajonale, ndërprerjet e zgjatura cenojnë qëndrueshmërinë në furnizim, si dhe rrezikojnë rritjen e shpenzimeve operative për bizneset, e rrjedhimisht të kontribuojnë në rritjen e çmimeve për konsumatorët. Këto zhvillime mund të ndikojnë negativisht edhe në planifikimin e investimeve dhe në detyrimet financiare të lidhura me ciklet e prodhimit dhe afatet e dorëzimit”, thuhet në reagim.
Shoferë kamionësh në Ballkanin Perëndimor bllokuan dhjetëra pika kufitare të hënën, në shenjë proteste për rregullat e reja të hyrjes të Bashkimit Evropian (BE), për të cilat thonë se kanë dëmtuar punën e tyre. Sipas këtyre rregullave, shoferëve të kamionëve transportues u shkurtohet koha e lejuar e qëndrimit në vendet e BE-së si dhe në rregulla përfshihet edhe regjistrimi elektronik në vend të vulosjes së pasaportave, gjë që ka ngadalësuar më tej trafikun në pikat kufitare me vendet jo-anëtare të BE-së.