Arbëri

Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare i shpalos mundësitë e bashkëpunimit me kompanitë gjermane

Komuniteti i biznesit në Prizren është njoftuar me mundësitë që OEGJK-ja ofron për të nxitur bashkëpunimin me kompanitë gjermane të sektorëve të ndryshëm. Në takimin e mbajtur në ndërtesën e Komunës së Prizrenit, krahas rritjes së eksporteve për në Gjermani, është theksuar edhe rëndësia e tërheqjes së investitorëve gjermanë në Prizren.

Përfaqësues të Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, në takimin me drejtuesit e Komunës së Prizrenit dhe të komunitetit të biznesit të kësaj ane, kanë shpalosur opsionet që kjo odë i ofron për kompanitë kosovare që dëshirojnë të eksportojnë në tregun gjerman mundësitë për angazhimin e ekspertëve gjermanë, si dhe mundësitë për takime me kompanitë gjermane.

Krahas kësaj, është diskutuar edhe për mundësinë e tërheqjes së investitorëve gjermanë, me qëllim të hapjes së vendeve të reja të punës dhe fuqizimin e zhvillimit ekonomik lokal.

Nora Hasani nga OEGJK-ja ka bërë të ditur se nga fillimi i pandemisë është vërejtur se ka shtim të interesimit të kompanive gjermane për ta diversifikuar rrjetin e furnitorëve të tyre, gjë që ka bërë që eksportet prej Kosovës në Gjermani në vitin 2020 të rriten për 40 për qind, respektivisht 39 për qind në vitin 2021.

Sipas saj, paralelisht me këtë ka edhe shtim të interesimit të investitorëve që mund të krijojnë vende të reja pune në Kosovë dhe se synimi i OEGJK-së është tërheqja e kompanive të mesme gjermane, për shkak të investimeve më të qëndrueshme.

“Sa i përket interesimit të investitorëve potencialë edhe këtu po e vërejmë një interesim më të madh për shkak se po duan me qenë sa më afër Evropës, edhe këtë vit kemi pasur 4 kompani, sigurisht që ka shumë më shumë të interesuar, por 4 janë drejtuar përmes Odës sonë që të marrin informacione për Kosovën, për klimën e të bërit biznes, për mundësitë e investimeve këtu. Janë të sektorëve të ndryshëm, është një trend që kanë dëshirë të investojnë edhe në sektorin e IT-së më shumë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka theksuar se zhvillimi ekonomik lokal është prioriteti kryesor dhe se me angazhime të tilla politika është e interesuar t’u krijojë kushte bizneseve për investime e hapje të vendeve të reja të punës, me qëllim që të punësohen të rinjtë.

“Ne i shqyrtuam variantet se si mund t’i tërheqim investitorët potencialë nga Gjermania, t’i sjellim në Kosovë dhe në Prizren, t’i njoftojmë me mundësitë që ofron Prizreni, t’i njoftojmë me ndërmarrësit e qytetit të Prizrenit dhe pastaj të presim që bizneset mes vete të gjejnë një gjuhë të përbashkët edhe ndoshta të lidhin kontrata për investime, për hapje të vendeve të reja të punës”, ka thënë Totaj.

Oda Ekonomike Gjermano – Kosovare është themeluar në prill të vitit 2012, me mbështetjen e Ambasadës Gjermane në Kosovë, si dhe të 39 ndërmarrjeve kosovare.