Shtensionim të situatës në veri të Kosovës, kanë kërkuar krerët e Odës Ekonomike të Kosovës dhe të Serbisë, në një takim që kanë pasur të premten në Podgoricë të Malit të Zi, ku janë takuar me ministrin e Ekonomisë së Malit të Zi, Goran Gjuroviq, në kuadër të Forumit Investues të Odave të Ballkanit Perëndimor.
Sipas njoftimit nga OEK-u, Rafuna është shprehur se rrethanat politike “vazhdojnë të bëhen pengesë e bashkëpunimit ekonomik dhe shtoi se ekonomitë e rajonit mbështesin të gjitha përpjekjet që çështjet e hapura në mes shteteve të mbyllen nëpërmjet dialogut dhe proceseve të mbështetura nga BE dhe SHBA”.
Rafuna ka thënë se zhvillimet e fundit politike kanë shqetësuar bizneset. Ka apeluar për shtensionim e kujdes të shtuar për ambientin e të bërit biznes.
“Prandaj u apelojmë të gjitha palëve që të ndërmarrin hapa për të qetësuar situatën”, është shprehur Rafuna. Ai ka shtuar se “hap i parë duhet të jetë lirimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës” si “hapje e rrugës për de-eskalim të gjendjes”.
Ndërkaq, siç ka shkruar “Danas” në Serbi, kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh, ka thënë se “ekonomia nuk mund të ndalet”.
Edhe
OEK kërkon ndërhyrjen e BE-së pas protestave të transportuesve në rajon: Po rrezikohen bizneset e Kosovës
“Bllokada e biznesit në rajon dëmton të gjithë në Ballkanin Perëndimor, por edhe kompanitë nga BE-ja”, ka thënë ai pas takimit.
Nga fundi i majit, veriu i Kosovës po përballet me tensione, pasi serbët lokalë nisën protesta të dhunshme kundër hyrjes së kryetarëve të rinj të katër komunave në veri, në objektet komunale. Protestat përshkallëzuan në fillim dhe si pasojë pësuan 30 ushtarë të KFOR-it e disa policë të Kosovës. Viktima ishin edhe gazetarët që në vazhdimësi janë sulmuar nga huliganët.
Ditë më parë, Policia e Kosovës arrestoi një nga personat e dyshuar për organizim të këtyre sulmeve.
Ndërsa të mërkurën, tre policë të Kosovës u kidnapuan brenda territorit të vendit, nga forcat serbe. Pas kësaj, Qeveria e Kosovës vendosi të ndalojë hyrjen e çdo kamioni me targa të Serbisë.
Edhe
OEK-u kërkon që BE-ja t’ia heqë masat Kosovës dhe ta hapë rrugën për zhvillim
Të premten, situata në Leposaviq përshkallëzoi sërish. Protestuesit sulmuan gazetarët që po raportonin teksa ministri për Administrim të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, vizitoi kryetarin Lulzim Hetemi.
Me shok-bomba janë sulmuar edhe stacionet e Policisë e vetura zyrtare e MAPL-së.