Arbëri

Oda e Përmbaruesve Privatë e quan shpifje deklaratën e Salihut për “10-milionëshin”

Permbarues

Oda e Përmbaruesve Privatë të Kosovës i ka reaguar deklaratës së Bekim Salihut, analist i politikave në Institutin GAP, që në emisionin “Konfront” në KTV më 5 qershor pati thënë se “vetëm në shkurt përmbaruesit i kanë fituar 10 milionë euro nga lëndët e mësimdhënësve”.

Në një reagim në adresë të Koha.net, OPPK-ja ka thënë se kjo deklaratë është e pavërtetë dhe përbën “shpifje të rëndë ndaj profesionit tonë”.

Në reagim, OPPK-ja ka thënë se shuma e potencuar nga ky analist është 11 herë më e lartë sesa ajo që, sipas njoftimit, këta përmbarues kanë arkëtuar në këtë periudhë.

“Deklarata se përmbaruesit privatë kanë fituar 10 milionë euro vetëm në muajin shkurt nga lëndët e mësimdhënësve, është tërësisht e pavërtetë dhe përbën një shpifje të rëndë ndaj profesionit tonë.

Bashkëngjitur këtij emaili gjeni kërkesën tonë zyrtare për përgënjeshtrim dhe kërkimfalje publike, e cila detajon faktet e sakta dhe të verifikueshme. Sipas të dhënave tona zyrtare, shuma e potencuar nga analisti dhe e publikuar në portalin tuaj është 11 herë më e lartë sesa shuma që përmbaruesit kanë arkëtuar nga të gjitha taksat përmbarimore, gjë që dëshmon natyrën trilluese të kësaj deklarate”, thuhet në reagim.

Sipas OPPK-së, në këtë periudhë shuma totale e kthyer mësimdhënësve është mbi 5 milionë euro, shuma për avokatë, ekspertë e procedura kontestimore dhe përmbarimore është 1.2 milionë dhe shuma totale e shpenzimeve përmbarimore mbi 850 mijë euro.

“Siç dëshmohet nga shifrat zyrtare, pretendimi se përmbaruesit kanë fituar ‘10 milionë euro’ është një fabrikim që tejkalon më shumë se 11 herë shumën reale. Ky fakt dëshmon qartazi se deklarata e z. Salihu nuk bazohen në asnjë fakt, por është një trillim i dëmshëm”, thuhet në reagim.

Artikulli ndaj të cilit ka reaguar OPPK-ja:

GAP-i i përgjigjet Odës së Përmbaruesve Privatë

2 muaj më parë / 26 qer 2025 16:26
Bekim Salihu

Instituti GAP i është përgjigjur reagimit të Odës së Përmbaruesve Privatë, për deklaratën e analistit të politikave në GAP, Bekim Salihu, javë më parë në emisionin “Konfront” në KTV.

Të mërkurën, OPPK-ja e pati cilësuar “shpifje të rëndë” deklaratën e Salihut, që në emisionin e 5 qershorit pati thënë se “vetëm në shkurt përmbaruesit i kanë fituar 10 milionë euro nga lëndët e mësimdhënësve”. Sipas OPPK-së, shuma e përmendur nga Salihu ishte 11 herë më e lartë sesa ajo që, sipas reagimit, këta përmbarues kanë arkëtuar në këtë periudhë.

Pas publikimit të këtij reagimi, GAP-i është përgjigjur. Ky institut ka kujtuar se shifra është përmendur edhe nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati. Ky institut po ashtu ka thënë se problemet e dala nga vendimet qeveritare nuk i bëjnë përmbaruesit përgjegjës apo fajtorë për gjendjen.

Përgjigja e plotë e GAP-it:

E lexuam dhe e shqyrtuam me kujdes e-mailin tuaj dhe përmbajtjen e paraqitur.

Fillimisht, na lejoni të theksojmë se, jo vetëm në këtë rast, por në të gjitha rastet e tjera, Instituti GAP ndjek parime strikte të integritetit, profesionalizmit dhe etikës. Kjo përjashton çdo mundësi dhe hapësirë që ndonjë subjekt, individ apo organizatë të etiketohet apo dëmtohet qëllimisht nga ana jonë.

Në lidhje me rastin konkret, z. Bekim Salihu, në cilësinë e përfaqësuesit nga Instituti GAP, ka marrë pjesë në një intervistë në televizionin KTV (Kohavision), në emisionin “Konfront”, ku ndër të tjera ka folur edhe për analizën e fundit të publikuar nga GAP me titullin “Në kërkim të zgjidhjes: rastet përmbarimore në komuna”.

Në këtë intervistë, sipas burimit të bashkëngjitur, analisti i politikave ka thënë (transkript):

“Vetëm në shkurt të këtij viti, Ministrisë së Financave i kanë shkuar 38 milionë euro për ekzekutim. 28 milionë euro u dedikohen mësimdhënësve, 10 milionë euro u shkojnë përmbaruesve. Dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, del e bën një reagim dhe thotë se kjo gjendje është serioze dhe është e shkaktuar nga qeveritë e kaluara, që është e saktë dhe e vërtetë, dhe kërkon nga prokuroria të ndërmarrë hapa. Ne si institut nuk kemi kërkuar angazhimin e prokurorisë, por të ministrisë.” (përfundon citati)

Të nderuar përfaqësues të Odës së Përmbaruesve Privatë,

Analisti i politikave dhe secili përfaqësues i GAP-it nuk mund të citojnë apo të pohojnë çështje që nuk kanë ndonjë burim të bashkëngjitur. Citati i lartcekur është qëndrim dhe informatë e Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve në Qeverinë e Kosovës, i cili më datë 25 shkurt, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka pohuar të njëjtën gjë që ka thënë z. Salihu në emision. Ky postim i z. Muratit është publikuar gjerësisht në media.

Për më tepër, Instituti GAP në analizën e paraqitur nuk merret në asnjë rresht me çështjen e përfitimeve të ligjshme nga ana e përmbaruesve. Kjo nuk ka qenë fokus i analizës, për shkak se kemi vlerësuar se interesi publik nuk përkon me përfitimet e përmbaruesve. Për më tepër, problemet e dala nga vendimet qeveritare nuk i bëjnë përmbaruesit përgjegjës apo fajtorë për gjendjen.

Ju lutem, përveç burimit të intervistës së bashkëngjitur, shihni edhe postimin e z. Muratit dhe gjithashtu analizën e Institutit GAP lidhur me rastet përmbarimore.

Mbetemi plotësisht të hapur dhe të gatshëm për sqarime shtesë, dhe po ashtu shpresojmë të kemi raste të bashkëpunimit miqësor dhe profesional në të ardhmen.