Pushimorja e Orllanit është nisur dy dekada më parë si objekt për fëmijët e mbetur jetimë gjatë luftës. Por, tash kur synohet të finalizohet, atij i është ndërruar destinimi.
Në vitin 2018 kur qeveriste LDK-ja, Kuvendi Komunal i Podujevës vendosi që objekti të ridestinohej për shërbime hoteliere e shëndetësore. Kjo parti, por edhe Vetëvendosja, gjatë mandatit njëvjeçar dështuan ta jepnin në shfrytëzim.
E në shkurt të këtij viti, Kuvendi i Podujevës e ka bërë plotësim-ndryshimin e vendimit dhe është në pritje të vlerësimit të ligjshmërisë nga Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
“Meqë nuk ka pasur ofertues, ne jemi detyruar që për atë objekt, me vendim të Kuvendit përsëri, që t’ia shtojmë veprimtaritë me të cilat mund të merret në shfrytëzim ai objekt, si afariste, hoteliere, shëndetësore, rekreativo-sportive dhe të tjera të ngjashme”, ka thënë Fatri Zhitia, zëdhënës i Komunës së Podujevës.
Në komunë thonë se sapo ta japë dritën jeshile MAPL-ja, do të bëhet shpallja për oferta për këtë objekt.
E në shoqërinë civile thonë se mosfunksionalizimi i këtij objekti i ka prodhuar dy pasoja: objekti është dëmtuar dhe për shkak të mosfunksionalizimit s’ka arritur të ndikojë në zhvillimin ekonomik lokal.
“Besoj që do të jepet në shfrytëzim. Por, komuna duhet të ketë edhe një plan tjetër, duhet të ketë një plan ku me bashkëfinancim ose në partneritet publiko-privat të shikojë mundësitë e shfrytëzimit të këtij objekti, në mënyrë që investimi që bëhet aty të përfitojë edhe komuna, por edhe ndonjë biznes privat”, ka pohuar Shemsi Jashari, drejtor ekzekutiv i “Demokracia Fillon Këtu”.
Jashari kërkon nga komuna që të bëjë çmos dhe ta funksionalizojë këtë objekt, e të mos e lë të shkatërrohet si deri tash.
Objekti i pushimores në Orllan posedon dhoma fjetjeje, kuzhinë, restorant, pishinë, sallën e konferencave dhe hapësira të tjera. Ai ka nisur të ndërtohet në vitin 2002 dhe si iniciues, UFORK-u kishte investuar 230 mijë euro, ndërsa Qeveria e Kosovës rreth 400 mijë euro, kurse Komuna e Podujevës 150 mijë euro.