Edhe e shtuna e katërt e kalendarit të ri shkollor u shënua me prani të paktë të nxënësve në shkolla për t’i zëvendësuar orët e humbura mësimore shkaku i grevës. Në disa shkolla të kryeqytetit kanë treguar se për dallim nga javët e kaluara, këtë të shtunë mësimi është refuzuar pothuajse tërësisht. E në shkollën “Naim Frashëri” mësimi është mbajtur, porse i ndërlidhur me aktivitete. E kjo formë mësimi, sipas përfaqësuesve të shkollës, është dëshmuar më tërheqëse për nxënësit
Me ushqime tradicionale mbi bankat e tyre dhe të veshur me kostume tradicionale, nxënësit e klasave të treta të shkollës fillore “Naim Frashëri” në Prishtinë të shtunën e kanë bërë zëvendësimin e orëve të humbura mësimore, si pasojë e grevës.
Aktiviteti me temën “Traditat tona” ishte pjesë e përpjekjeve të stafit të shkollës për t’ua bërë nxënësve më atraktive orën mësimore gjatë së shtunës.
Mësuesja e klasës së tretë, Xhylsime Reçica, ka thënë se ndërlidhja e temave me aktivitete të tilla është treguar më efektive.
“Numri i nxënësve kur kemi aktivitete është jashtëzakonisht i lartë. Kurse kur mbajmë mësim hezitojnë paksa të vijnë. Për këtë arsye kemi zgjedhur që aktivitetet jashtëkurrikulare t’i zëvendësojmë ditëve të shtuna”, ka thënë Reçica.
E filloristët e tjerë, varësisht prej lëndës mësimore, zhvilluan veprimtari të tjera brenda objektit të shkollës. Disa prej nxënësve kanë thënë se këtë formë të mësimit gjatë të shtunave e kanë mirëpritur me entuziazëm.
Nxënësja e klasës së shtatë në shkollën fillore “Naim Frashëri” në kryeqytet, Lira Pushka, ka thënë se edhe po argëtohen në të njëjtën kohë.
“Në fillim, kur ka qenë për vendimin e klasave të shtata me e mbajt të shtunave, unë kam qenë pak e dëshpëruar se i kam pyetur edhe prindërit, edhe ata kanë thënë: ‘Jo’. Por gjatë kësaj kohe kemi bërë disa gjëra që kurrë nuk kemi mundur t’i përjetojmë. Një eksperiencë që as nuk kam mundur ta realizoj me shokët e mi. Edhe tashmë shumë po mësoj, edhe më shumë po kënaqem në grupe të ndryshme”, ka thënë Pushka.
Me gjithë aktivitetet, kishte klasa që kishin ngelur bosh shkaku i mungesës së nxënësve.
Interesimi për ndjekjen e mësimit qe i paktë edhe në disa shkolla të tjera të kryeqytetit.
Në atë “Ismail Qemali” kanë thënë se për dallim nga javët e kaluara përqindja e nxënësve që ishin të pranishëm në shkollë këtë të shtunë ishte edhe më e vogël. Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës, Mimoza Krasniqi, ka bërë të ditur se interesimi për ndjekje të mësimit ka rënë edhe më shumë në këtë fundjavë.
“Në ndërrimin e paradites, në komplet shkollën vetëm 20 nxënës kanë qenë prezentë. E në ndërrimin e pasdites vetëm tre nxënës. Vetëm një mësuese është duke e mbajtur mësimin me tre nxënës. Janë mbajtur tri deri në katër orë. Tepër është e ulët. Po i bie prej 903 nxënësve, 20 nxënës, me përqindje i bie 2.2 për qind në ndërrimin e paradites”, ka thënë Krasniqi.
Mësimi është bojkotuar e refuzuar tërësisht edhe në shkollën fillore “Pavarësia” në kryeqytet. Drejtori i kësaj shkolle, Shefki Rusinovci, ka thënë se mësimi nuk është mbajtur në të dy ndërresat.
“Nuk ka ardhur pothuajse asnjë nxënës në ndërrimin e paradites. Klasat kanë qenë të zbrazëta dhe mësimdhënësit, pavarësisht se kanë qenë të pranishëm, nuk kanë mundur të zhvillojnë mësim”, ka thënë Rusinovci në një përgjigje përmes telefonit.
Në Këshillin e Prindërve për çdo javë janë ripërsëritur qëndrimi dhe thirrja për mosmbajtjen e mësimit në fundjavë.
KOHA ka pyetur Ministrinë e Arsimit mbi mbarëvajtjen e procesit mësimor gjatë të shtunave në gjithë vendin, porse nuk ka marrë përgjigje.
Si pasojë e grevës së mësimdhënësve deri më 1 tetor janë humbur 22 ditë kalendarike të mësimit, për të cilat në Ministrinë e Arsimit ishte kërkuar kompensim gjatë të shtunave dhe me shkurtimin e pushimeve midis gjysmëvjetorëve.
Greva u pezullua në fillim të muajit tetor pa ndonjë marrëveshje nga Qeveria. Mësimdhënësit kërkonin nga 100 euro shtesë mbi pagë për çdo muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga, si dhe në këtë ligj të rritet koeficienti i pagave të mësimdhënësve.
Më 4 tetor, Ministria e Arsimit mori vendim për të ndryshuar kalendarin e vitit shkollor 2022-2023, për shkak të ditëve të pambajtura të mësimit gjatë muajit shtator si pasojë e grevës së mësimdhënësve. MASHT bëri të ditur edhe datat kur do të bëhet zëvendësimi i orëve të humbura duke përfshirë tetë të shtuna, nisur nga muaji tetor e deri në janar.