Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Refuzohen të shtunat, në kryeqytet mësim u mbajt edhe me vetëm nga dy nxënës

Edhe e shtuna e dytë e kalendarit të ri shkollor u shënua me prezencë të vogël të nxënësve në shkolla për të ndjekur mësimin. Disa shkolla në kryeqytet kanë treguar se kanë mbajtur orët edhe me nga dy nxënës. E prindërit kanë vazhduar të qëndrojnë pas thirrjes së tyre që në fundjavë të mos mbahet mësim

Edhe këtë të shtunë shumica e klasave në shkollat e kryeqytetit mbetën bosh apo me numër të vogël nxënësish.

Të paktë ishin ata prindër që i dërguan fëmijët e tyre për të ndjekur mësimin në ditë vikendi, ashtu siç parashihet me kalendarin e ri shkollor.

Në shkollën fillore “Ismail Qemali”, që numëron afër 3 mijë nxënës, tregojnë se për dallim nga e shtuna e kaluar, këtë javë përqindja e mungesave është edhe më e madhe.

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së kësaj shkolle, Mimoza Krasniqi, thotë se kjo mënyrë e mbajtjes së mësimit nuk tregon efekt.

“Në procesin mësimor janë vetëm 8 për qind, ndërsa tek cikli i ulët përqindja është po ashtu shumë e ulët, që është 18 për qind. Vetëm pesë mësuese janë duke mbajtur mësim, një mësuese është me dy nxënës, tjetra e ka një numër të konsiderueshëm të fëmijëve”, ka thënë ajo.

Edhe Të shtunat pa nxënës, një shkollë bën zgjidhje me aktivitete të lira Arbëri Të shtunat pa nxënës, një shkollë bën zgjidhje me aktivitete të lira

Situatë e ngjashme ishte edhe në shkollat e tjera të ciklit të ulët në kryeqytet, në të cilat nuk dëshiruan të prononcoheshin para kamerës.

Në shkollën fillore “Hasan Prishtina” një mësimdhënëse që ligjëron lëndën e gjuhës angleze tregon se në disa klasa ka hasur në pengesa.

“Numri i nxënësve në disa klasa ka qenë i vogël, por në disa klasa ka qenë një numër që kemi mundur me mbajt mësimin. Fëmijët prindërit nuk i kanë sjellë në shkollë për arsye të tyre, për shkak se ishte vikend, por ne është dashtë me mbajt mësimin”, ka deklaruar mësimdhënësja Lule Hoxha.

E në SBASHK kanë pasur një kërkesë tjetër.

“Ligji i punës edhe kontrata kolektive e precizon që java e punës është nga e hëna deri të premten, dhe nëse për cilindo shkak punëtorët e arsimit angazhohen ditëve të vikendit apo festave, është i obliguar shteti që t’i paguajë edhe pjesën për vikende që i bie afro 50 për qind më shumë sesa mëditja e zakonshme”, ka thënë kreu i Sindikatës, Rrahman Jasharaj.

Edhe  Shkollat pa nxënës të shtunave, MASHTI ngulmon, prindërit kundërshtojnë, SBASHK-u nxjerr përqindje Arbëri Shkollat pa nxënës të shtunave, MASHTI ngulmon, prindërit kundërshtojnë, SBASHK-u nxjerr përqindje

Këshilli i Prindërve një ditë më parë ka ripërsëritur qëndrimin që në fundjavë të mos mbahet mësimi.

KOHA i ka pyetur DKA-në në Prishtinë, si dhe Ministrinë e Arsimit për mbarëvajtjen e mësimit në nivel vendi, por nuk ka marrë sqarime.