Fushata për pjesëmarrje në marshin e 2 prillit në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët akuzohen për krime lufte, ka përfshirë edhe shkollat e mesme të Prishtinës. Përfaqësues të nxënësve kanë thënë se kjo është bërë në koordinim me Drejtorinë Komunale të Arsimit. Ndërsa në Këshillin e Prindërve e kanë kritikuar këtë nismë
Nxënësve nëpër klasat e disa shkollave të mesme në Prishtinë gjatë tri ditëve të fundit u është lexuar një ftesë për të marrë pjesë në marshin e 2 prillit, i cili do të organizohet të dielën në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ndaj të cilëve të hënën do të fillojë gjykimi për krime lufte në Hagë.
Një gjimnazist ka treguar se cila ka qenë thirrja që është lexuar nëpër klasa.
“Ftoheni që të merrni pjesë në marshin që do të mbahet më 2 prill, në orën 14:00. Ka treguar se ajo çfarë po u bëhet atyre që po mbahen padrejtësisht në Hagë është e padrejtë. Edhe veç ka thënë që për t’i mbështetur ata në sheshin ‘Zahir Pjaziti’, në orën 14:00, të vijmë të dielën”, ka treguar nxënësi, i cili nuk ka dashur që të identifikohej. Ai ka bërë të ditur po ashtu se ishte një nxënëse e shkollës ajo e cila e ka marrë iniciativën për ftesat, duke biseduar paraprakisht me autoritetet në Komunën e Prishtinës.
“Vajza e cila e ka marrë iniciativën ka thënë që ka biseduar me Drejtorinë e Arsimit, edhe krejt kanë qenë në mbështetje për këtë punë”, ka vazhduar ai tutje.
Disa minuta pasi që e ka dhënë këtë deklaratë për KOHËN, nxënësi ka theksuar se ka qenë një keqkuptim.
Iniciativa për këtë ftesë është filluar nga nxënësja Vesa Dërguti, një vullnetare e platformës “Liria ka emër”, e cila është organizatore e protestës.
“Jam thjesht vullnetare e platformës ‘Liria ka emër’, dhe kjo do të thotë ka qenë iniciativë e imja që vetëm t’i ftoj nxënësit që të bashkohen në këtë marsh”, është shprehur nxënësja e klasës së 12-të në gjimnazin “Sami Frashëri”.
Dërguti ka theksuar se për nismën e iniciuar ka diskutuar me drejtorin e shkollës, si dhe me drejtorë të shkollave të tjera të kryeqytetit.
“Kemi biseduar me drejtorët, të cilët janë përkatës të shkollës dhe ka qenë edhe aprovimi i tyre në të njëjtën formë, sikur edhe drejtori ynë, i cili ka lejuar që të bartet informacioni. Por, do të thotë, jo e politizuar”, ka thënë ajo.
Haxhi Metaj, drejtor në gjimnazin shoqëror “Ahmet Gashi” në Prishtinë, ka thënë se iniciativa ka rrjedhur nga rinia shkollore.
“Kjo ka qenë iniciativë e Kryesisë së Shkollës, e rinisë. Edhe mua më kanë kërkuar. Natyrisht, më ka thënë kryetari i rinisë nëse ka mundësi që të organizohet një bisedë me kryetarët e klasave dhe ia kam dhënë lejen. Nuk është që më ka penguar”, ka deklaruar Metaj.
E Jeton Demi, kryetar i Këshillit të Prindërve të kryeqytetit, e ka kritikuar organizimin, duke thënë se Drejtoria Komunale do të duhej që të merrte masa ndaj atyre që e kanë lejuar.
“Është jonormal dhe aspak i duhur dërgimi i mesazheve nëpër shkolla, qofshin fillore a të mesme, ku përfshihet aktivizmi politik ose organizimi i tillë bëhet nga parti politike. Drejtoria Komunale e Prishtinës do të duhej të mos e lejonte një aktivitet të tillë ose të merrte masa ndaj atyre që e kanë mbështetur apo lejuar. Pra, kjo ndikon drejtpërdrejt në politizim të shkollave dhe e prek dhe e dëmton qëllimin që kanë institucionet edukative e arsimore”, ka thënë Demi, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim për KOHËN.
Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë drejtohet nga Partia Demokratike (PDK), subjekt ky pjesë e të cilit kanë qenë dy nga katër ish-drejtues të UÇK-së që ndodhen në Hagë – ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari Kadri Veseli.
Besianë Masmurati, drejtoreshë për Arsim në Komunën e Prishtinës, ka refuzuar që të flasë për çështjen, me justifikimin se e ka një urgjencë familjare. Por, pas kësaj, në llogarinë e saj në Facebook ajo ka publikuar disa letra të nxënësve të kryeqytetit që, sipas saj, do t’u dërgohen ish-krerëve të UÇK-së.
“Po i dërgojmë në Hagë letrat dhe vizatimet e fëmijëve të Prishtinës për ushtarët e UÇK-së. Pas ligjëratave të ushtarëve të UÇK-së në disa prej shkollave të Prishtinës fëmijët bënë punime të ndryshme që i shpërndamë në OVL të UÇK-së. Disa prej tyre po i dërgojmë tek liderët e UÇK-së që po mbahen në Hagë. ‘Mrekullive të botës duhet t'i shtohet edhe lufta çlirimtare e UÇK-së, shkruan Leka nga shkolla ‘Naim Frashëri’. ‘Ndoshta sot je me thinja, por ne do të kujtojmë gjithmonë për zgjuarsinë, trimërinë dhe sakrificën që e ke bërë për fëmijët e Kosovës’, thotë letra tjetër. Shpresojmë që me këto letra do të mund të përçojmë mirënjohjen e thellë që e kemi për UÇK-në dhe vlerat e saj”, ka shkruar ajo në postim.
E deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, e cila është njëra nga ideatoret e platformës “Liria ka Emër”, ka thënë se thirrja për pjesëmarrje në protestë është e hapur për të gjithë.
“Thirrja është publike gjithandej dhe e hapur për të gjithë pa dallim gjinie, moshe, partie e kategorie. Sepse është aktivitet qytetar dhe nuk demonstron as proteston kundër askujt. Thjesht marshon për solidarizim me çlirimtarët dhe historinë tonë të përbashkët”, ka thënë Hoxha.
Në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me ftesat që janë lexuar nëpër shkolla për pjesëmarrje të nxënësve në marshin e së dielës.