Kurti e sheh pozitivisht Raportin ku Kosova vlerësohet me progres të kufizuar e stagnim

1 muaj më parë / 4 nën 2025 18:35
Albin Kurti

Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka vlerësuar si pozitiv Raportin e sivjetmë të Progresit, megjithëse për Kosovën në këtë raport konstatohet progres i kufizuar e stagnim.

Sipas Kurtit, këtë vit nuk ka pasur kthim prapa në pothuajse asnjë fushë.

“Këtë vit edhe pse kemi qenë qeveri në detyrë Raporti konstaton se kemi kryer detyrat me sukses. Integrimi në BE mbetet prioritet dhe strategjik Kosovës. Raport sivjet është pozitiv në të gjitha fushat pothuajse dhe ofron rekomandime ku ka ngecje. Këtë vit nuk ka pasur kthim prapa në asnjë fushë, ka progres në 35 fusha dhe ngecje në 3. Progresi varion nga i kufizuar në të përparuar. Orientimi ynë është i qartë - anëtarësimi në BE. Raporti konfirmon përkushtimin tonë për procesin e integrimit”, ka theksuar ai në konferencë për media.

Kurti është kritikuar në opinion se për shkak të vendimeve që ka marrë në qeveri ka dëmtuar marrëdhëniet me shtetet mike. E, Kurti të martën ka thënë se kjo gjë në Raport është parë si “progres në marrëdhëniet me jashtë”.

“Ajo çka në opinionin publik te ne reflektohej si prishje e raporteve me jashtë, ky raport tregon se është progres në marrëdhëniet me jashtë. Në marrëdhëniet me jashtë raporti thekson avancim të dukshëm, përparim në zbatim të marrëveshjeve të tregut të përbashkët rajonal 2021-2024. Do të angazhohemi që rekomandimet e raportit të kthehen në zbatim”, ka thënë ai.

Oravi u bën thirrje partive të bëhen bashkë për progresin e Kosovës

1 muaj më parë / 4 nën 2025 18:20
Aivo Orav

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, u ka bërë thirrje partive politike të vendit që të bashkohen përtej ndasive dhe të krijojnë një shumicë të fuqishme që do të mundësojë zbatimin e reformave dhe ratifikimin e marrëveshjeve të rëndësishme për zhvillimin e Kosovës.

“Jemi në një kohë vendimtare për Kosovën, Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Evropian. Për BE-në, zgjerimi është një imperativ strategjik – një investim në stabilitet, siguri dhe prosperitet”, ka thënë Orav gjatë konferencës për media të martën bashkë me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, ku po prezantohen të gjeturat e Raportit të Progresit.

Ai theksoi se fqinjët e Kosovës, Shqipëria dhe Mali i Zi, janë në rrugën e duhur drejt integrimit evropian, ndërsa vlerësoi se për Kosovën ky vit ka qenë “një hap mbrapa”. Sipas tij, përparimi në rrugën evropiane kërkon partnerë të qëndrueshëm dhe qeveri me shumicë solide që mund të zbatojë Planin e Rritjes dhe të përmbushë obligimet nga dialogu me Serbinë.

Ambasadori evropian përmendi se Kosova ka shënuar përparim në gjashtë fusha kryesore: funksionimin e gjyqësorit, zhvillimin social, politikat e transportit, sigurinë e ushqimit, marrëdhëniet e jashtme dhe ndërtimin e kapaciteteve institucionale. Ai vlerësoi se zgjedhjet e fundit janë mbajtur në përputhje me standardet evropiane, por paralajmëroi se nevojitet më shumë punë në ndërtimin e një ekonomie konkurruese dhe në rritjen e efikasitetit të administratës publike.

Orav kërkoi përmirësim të lirisë së shprehjes dhe të ambientit mediatik, duke dënuar sulmet ndaj gazetarëve dhe gjuhën fyese që përdoret, përfshirë nga politikanët. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e përmirësimit të kornizës ligjore për RTK-në dhe KPM-në, si dhe përafrimin e strategjisë kundër korrupsionit me standardet evropiane.

Duke folur për masat e BE-së ndaj Kosovës, ambasadori ka thënë se janë ndërmarrë hapat e parë drejt heqjes së tyre, por theksoi se procesi mbetet i kushtëzuar me deeskalimin e situatës në veri dhe transferimin e pushtetit pas zgjedhjeve lokale.

“Shpresoj që Kosova shumë shpejt do të ketë një qeveri me të cilën mund të punojmë”, përfundoi ambasadori Orav.

Osmani thotë se sfidat e Raportit të Progresit duhet të trajtohen me prioritet

1 muaj më parë / 4 nën 2025 17:52
Vjosa Osman - Aivo Orav

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ambasadorin e BE-së në Kosovë, Aivo Orav si dhe pranoi Raportin për Kosovën 2025 të Komisionit Evropian.

Gjatë takimit, sipas njoftimit të presidencës thuhet se u diskutua për gjetjet e raportit dhe ato që mbesin si sfidë për t’u adresuar, për të cilat Osmani tha se duhet të trajtohen me prioritet.

“Gjatë takimit u diskutua mbi gjetjet e raportit, i cili vlerëson pozitivisht progresin e Kosovës në disa fusha, por njëkohësisht evidenton edhe sfidat që mbeten për t’u adresuar. Presidentja Osmani theksoi se këto gjetje duhet të trajtohen me prioritet, me qëllim që Kosova të vazhdojë me hapa të vendosur dhe në ballë të reformave drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Tutje thuhet se ajo “theksoi që ky proces kontribuon jo vetëm në prosperitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, por edhe në paqen dhe sigurinë afatgjatë në rajon e më gjerë”.


 

Çka thuhet për masat e BE-së në Raportin e Progresit

1 muaj më parë / 4 nën 2025 13:54
Bashkimi Evropian Kosova

Në Raportin e Progresit për vitin 2025 për Kosovën, Bashkimi Evropian ka ndërlidhur heqjen e mëtejmë të tyre me depërshkallëzimin e situatës në veri.

Fillimisht aty është thënë se masat kanë nisur të hiqen gradualisht, duke e ndërlidhur me rikthimin e takimeve në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Por heqja e mëtejme varet nga depërshkallëzimi në veri.

“Hapat e mëtejmë mbeten të kushtëzuar nga një ulje e qëndrueshme e tensioneve në veri. Komisioni synon t’i heqë më tej këto masa me kushtin që të arrihet një transferim i rregullt i qeverisjes lokale në veri, pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe nëse ulja e tensioneve është e qëndrueshme”, thuhet në raport.

Në raport është theksuar se masat kanë pasur edhe ndikim financiar. E pas fillimit të heqjes graduale të masave, sipas raportit, katër projekte të asistencës teknike në mbështetje të investimeve të mundshme në kuadër të Programit të Reformës dhe Rritjes janë riparaqitur dhe janë miratuar.

Mali i Zi udhëheq në rrugën për anëtarësim, Shqipëria progres të rëndësishëm

1 muaj më parë / 4 nën 2025 13:39
Marta Kos

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka njoftuar se Mali i Zi po udhëheq në planet e anëtarësimit, por progres të rëndësishëm ka arritur edhe Shqipëria, Moldavia e Ukraina. 

Gjatë paraqitjes së saj në Parlamentin Evropian, Kos ka theksuar se këta katër kandidatë kanë treguar aspirata të qarta për BE-në. 

“Mali i Zi është më i avancuari dhe ka bërë progres të rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE dhe është vendi më i përgatitur, por gjithashtu Shqipëria ka arritur progresit të jashtëzakonshëm gjatë vitit të fundit, me angazhim të fortë politik dhe aspirata të qarta për BE. Moldavia gjithashtu ka bërë progres në rrugën e saj, pavarësisht përpjekjeve për ta devijuar atë nga Rusia”, është shprehur ajo, raportoi The Guardian. 

Ndërsa për Ukrainën, Kos tha se është e nevojshme të ruhet ky moment dhe të parandalohet çdo rrezik i tërheqjes pas.

Raporti më negativ pritet të jetë ai për Serbinë, e cila në disa fusha nuk ka pasur fare progres, e në disa ka shënuar edhe kthim prapa, raportoi KOHA.

Serbia kritikohet për “ecje prapa” në lirinë e mediave, për mospërmbushje të obligimeve nga marrëveshja për normalizimin e raporteve me Kosovën, për mos ndërmarrjen e masave ndaj kryesve të sulmeve në Banjskë dhe për vazhdimin e bashkëpunimit me Rusinë, duke mos u përshtatur me qëndrimet e Bashkimit Evropian në rastin e sanksioneve.

Nga Serbia kërkohet që të ndërpritet retorika kundër BE-së dhe Perëndimit dhe të komunikohet si duhet qëllimi i Serbisë për integrim në Bashkimin Evropian.

Miratohet Raporti i Progresit: Kosova me progres të limituar e stagnim

1 muaj më parë / 4 nën 2025 13:15
Kosova, Bashkimi Evropian

Foto-Ilustrim: KOHA

Komisioni Evropian ka miratuar Raportin e Progresit për vitin 2025, që për Kosovën konstaton progres të kufizuar e stagnim. 

Shkak kryesor është përçarja e skenës politike dhe ngërçi institucional. Komisioni Evropian mbetet gati të përpilojë mendimin për statusin e vendit kandidat për Kosovën, por i duhet mandati nga vendet anëtare.

Heqja e masave ndaj Kosovës kushtëzohet me transferimin e pushtetit lokal në veri.

Të gjitha marrëveshjet nga dialogu duhet të zbatohen edhe nga Kosova edhe nga Serbia.

Sa u përket masave të vendosura nga BE-ja për Kosovën, është thënë se ka nisur heqja graduale e tyre, dhe se në kuadër të heqjes ka qenë edhe një takim i mbajtur në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në korrik. Aty është theksuar se heqja e mëtejme e tyre varet nga depërshkallëzimi në veri.

“Hapat e mëtejmë mbeten të kushtëzuar nga një ulje e qëndrueshme e tensioneve në veri. Komisioni synon t’i heqë më tej këto masa me kushtin që të arrihet një transferim i rregullt i qeverisjes lokale në veri, pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe nëse ulja e tensioneve është e qëndrueshme”, thuhet në raport.

Në raport është theksuar se pas fillimit të heqjes graduale të masave, katër projekte të asistencës teknike në mbështetje të investimeve të mundshme në kuadër të Programit ët Reformës dhe Rritjes janë riparaqitur dhe janë miratuar.

Disa nga pikat kryesore për të cilat Raporti tregon se Kosova ka shënuar ngecje e që kanë ndikuar në mos-heqjen e masave janë të lidhura me Parlamentin, Qeverinë, gjyqësorin e ekonominë. 

Derisa është folur për zgjedhjet e fundit parlamentare, është thënë se ka pasur raste të retorikës së ashpër, keqpërdorimit të burimeve publike dhe presionit shoqëror-politik në zonat me shumicë serbe të Kosovës.

“Asambleja ende ka nevojë të përmirësojë sistemin e saj të menaxhimit të brendshëm dhe të miratojë plane pune. Me fillimin e fushatës zgjedhore në janar 2025, Asambleja hyri në një periudhë të paaktivitetit. Pas zgjedhjeve parlamentare, dështimi i Asamblesë për të u formuar ka dëmtuar seriozisht funksionimin e institucioneve kyçe demokratike. Kosova ndodhet midis një faze të hershme përgatitjeje dhe një niveli të caktuar përgatitjeje për të zbatuar standardet evropiane mbi gjyqësorin dhe të drejtat themelore, dhe ka bërë progres të kufizuar”, thuhet në raport. 

Tutje thuhet se Kosova ende nuk ka ratifikuar protokollet shtesë të CEFTA-s për lehtësimin e tregtisë, tregtinë e shërbimeve dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Derisa eksportet janë rritur, deficiti i tregtisë mbeti i lartë dhe Kosova ende nuk ka zbatuar një politikë të plotë tregtare.

Për integrimin në BE është thënë se mosmarrëveshjet, polarizimi dhe mungesa e bashkëpunimit midis partive politike kanë penguar përparimin e ndjeshëm në reformat e lidhura me BE-në. 

“Këto mosmarrëveshje dhe bojkotimi i gjatë i seancave të Kuvendit nga Lista Srpska në legjislaturën e mëparshme kanë dobësuar aftësinë e institucionit për të miratuar ligje, për të emëruar anëtarë të organeve publike dhe për të siguruar mbikëqyrje efektive”, thuhet në raport. 

Ngërçi politik sipas raportit, ka dëmtuar funksionimin e institucioneve demokratike dhe rrezikon të minojë besimin e publikut në proceset demokratike.

“Kampanja zgjedhore gjithashtu ka ngadalësuar vendimmarrjen. Gjuha polarizuese kundër kundërshtarëve vazhdoi të përdoret në debatet politike. Që nga zgjedhjet e shkurtit, Kuvendi vazhdimisht ka dështuar të vendoset, që është një kusht paraprak për formimin e qeverisë. Për shkak të kësaj ngërçi politik, qeveria në largim është në status kujdestarie që nga 23 marsi 2025, me funksione ekzekutive të kufizuara”, është thënë tutje.

Raporti i Progresit ka vlerësuar se pavarësia e pushtetit gjyqësor dhe e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet në çdo kohë.

Më tej është kritikuar edhe pjesëmarrja e ulët e deputetëve në seanca. 

“Kuvendi përballej me polarizim të thellë politik, shkelje procedurale, pjesëmarrje të ulët, bojkotime të vazhdueshme dhe ligjvënieve të nxituara, ndërsa shumica qeverisëse u tkurr gjatë mandatit. Nga njëra anë, mbështetja e partisë në pushtet në shkurtime procedurale për të kaluar ligje pa konsensus minoi besueshmërinë e procesit legjislativ. Nga ana tjetër, partitë opozitare keqpërdorën instrumentet e mbikëqyrjes parlamentare, duke ndërprerë rrjedhën legjislative. Futja e sistemit të votimit elektronik ishte një zhvillim pozitiv”, theksoi raporti.

Përparimi për integrim evropian thuhet se u ndal për shkak të paaftësisë së Kuvendit dhe ngërçit politik pas zgjedhjeve të përgjithshme.

“Pavarësisht angazhimit të qeverisë dhe mbështetjes publike për rrugën evropiane të Kosovës, e shoqëruar me komunikim pozitiv mbi procesin e integrimit në BE, politika e brendshme ndarëse vazhdoi të pengojë zbatimin e agjendës së BE-së. Institucionet përgjegjëse për procesin e integrimit në BE mbeten në vend. Qendërzimi i agjendës së BE-së nganjëherë kufizon pronësinë politike në ministritë përkatëse dhe ngadalëson marrjen e vendimeve. Aktivitetet e integrimit në BE janë ndikuar negativisht nga kapaciteti i dobët administrativ dhe fakti që një numër i madh pozicionesh kyçe në administratën publike mbahen nga zyrtarë në detyrë”, është theksuar më tej.

Sai përket sistemit gjyqësor, raporti thekson se ka infrastrukturë ligjore dhe institucionale, por përballet me sfida të mëdha: implementim të dobët, mungesë pavarësie, efikasitet të ulët, mungesë burimesh, ndikim politik dhe nevojë për forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe aksesit të drejtësisë për komunitetet jo-shumicë.

Raporti për Kosovën

Nuk ka befasi: Kosova me progres të limituar për shkak të ngërçit politik

1 muaj më parë / 4 nën 2025 11:12 Nga: Augustin Palokaj
Bashkimi Evropian - Flamuri i BE-se

Photo: Driton Paçarada

Në takimin e Kolegjit të Komisionit Evropian që nis sot në mesditë, do të miratohet paketa e zgjerimit të BE-së së bashku me raportet individuale të progresit për vendet e përfshira në procesin e zgjerimit. Më pas, komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, do t’i prezantojë këto raporte para Parlamentit Evropian e më vonë edhe në konferencë për shtyp para gazetarëve në Bruksel. Ndërkohë, ambasadori i BE-së në Kosovë do t’ia dorëzojë këtë raport edhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Koha ka pasur mundësi të lexojë draftin e raportit për Kosovën disa ditë para miratimit të tij. Nuk ka befasi. Raporti kryesisht përmend progres të limituar, apo edhe stagnim. Shkak kryesor është përçarja e skenës politike dhe ngërçi institucional. Komisioni Evropian mbetet gati të përpilojë mendimin për statusin e vendit kandidat për Kosovën, por i duhet mandati nga vendet anëtare. Heqja e masave ndaj Kosovës kushtëzohet me transferimin e pushtetit lokal në veri. Të gjitha marrëveshjet nga dialogu duhet të zbatohen edhe nga Kosova edhe nga Serbia. Raporti më negativ është ai për Serbinë, ndërsa më pozitivë janë për Malin e Zi dhe Shqipërinë.

Kosova ka bërë kryesisht progres të kufizuar, apo s’ka pasur progres në periudhën njëvjeçare që përfshin shtatorin e vitit 2024 deri në shtator të këtij viti. Kjo mungesë e progresit më të madh, sipas Komisionit Evropian, është kryesisht për shkak të polarizimeve politike të krijuara gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit, si dhe ngërçit politik pas tyre.

Në draftin e raportit për Kosovën, i cili nuk pritet të ndryshojë shumë, në shumicën e kapitujve flitet për një “progres të kufizuar”, për “njëfarë progresi” e në disa raste edhe konstatohet se “nuk ka pasur progres”. Kosova më së shumti kritikohet për gjendjen në fushën e lirisë së shprehjes, ku nuk ka pasur progres në implementimin e rekomandimeve nga raporti i mëparshëm, dhe për veprimet në veri, të cilat, konstatohet edhe në këtë raport, kanë qenë në kundërshtim me obligimet e Kosovës ndaj BE-së dhe ndaj procesit të normalizimit të raporteve.

Ky raport për Kosovën është më pak pozitiv sesa raportet e mëhershme, në të cilat kishte më shumë progres. Por raporti nuk do të jetë befasi për askënd, duke e ditur se në çfarë periudhe ka kaluar Kosova që nga fillimi i këtij viti.

“Periudha që përfshin raporti ishte e ndikuar nga politika përçarëse e brendshme dhe fushata konfrontuese në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit 2025. Kjo u pasua me ngërç politik për shkak të paaftësisë apo mungesës së vullnetit të partive politike për të gjetur rrugëdalje drejt krijimit të institucioneve. Qeveria ishte me status të qeverisë në detyrë që nga 23 marsi, me vetëm funksione të limituara ekzekutive për të kryer punë ditore”, thuhet në draftin e raportit.

Në pjesën kur flitet për raportet e Kosovës me BE-në përmendet se qytetarët e Kosovës tashmë gëzojnë liberalizimin e vizave, se Kosova ka të miratuar edhe Agjendën e Reformave në kuadër të Planit të Rritjes, se Kosova dëshmon përkushtimin për integrim në BE, në mënyrë unilaterale është përshtatur me qëndrimet e BE-së edhe në politikën e jashtme. Por konstatohet se Kosova nuk ka pasur mundësi të përfitojë pagesat e para nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, për shkak se nuk ka qenë në gjendje të ratifikojë marrëveshjen përkatëse me BE-në për mjete dhe kredi. Sipas ligjeve të Kosovës, marrëveshja e tillë ka karakter të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe duhet të ratifikohet në Kuvend me dy të tretat e votave.

Po ashtu thuhet se gjatë kësaj periudhe ka pasur vazhdim të masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, për heqjen e të cilave Komisioni ka nisur të punojë nga muaji maj i këtij viti.

“Hapat e mëtejmë janë të kushtëzuar me de-eskalimin e qëndrueshëm në veri. Komisioni ka qëllimin që të heqë më tej masat financiare nëse një transfer i rregullt i qeverisjes në veri do të arrihet pas rundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe de-eskalimi të jetë i qëndrueshëm”, thuhet në tekst.

Komisioni pritet të konstatojë se nuk ka pasur progres sa i përket lirisë së shprehjes.

Mjaft kritika ndaj Kosovës, me konstatimin se nuk ka pasur progres, ka për fushën e lirisë së shprehjes dhe gjendjes së mediave.

“Përderisa mjedisi mediatik është pluralist, ai përballet me sfidat që lidhen me transparencën e pronësisë së mediave dhe qëndrueshmërinë financiare”, thuhet në draftin e raportit, dhe përsëriten rekomandimet nga viti i mëparshëm për përmirësimin e kushteve për gazetarët, forcimin e raportimit profesional dhe përmirësimin e kapaciteteve për të zgjidhur rastet e sulmeve ndaj gazetarëve.

“Gjatë periudhës së përfshirë në raport, 70 raste të sulmeve fizike dhe verbale, si dhe kërcënime ndaj gazetarëve janë raportuar, përfshirë edhe pengimin e gazetarëve dhe punëtorëve të mediave në kryerjen e punës së tyre”, thuhet në raport dhe përmendet se “gjatë fushatës zgjedhore, zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë edhe kryeministrin, kanë përdorur gjuhë ofenduese ndaj mediave”.

Një pjesë e madhe e raportit i kushtohet edhe këtë vit procesit të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast përsëritet se përmbushja e obligimeve nga ky dialog është parakusht si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë në procesin e integrimeve evropiane, por edhe për përfitime nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Në pjesën ku flitet për përmbushjen e obligimeve, përsëritet thirrja për Kosovën që të nisë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, bazuar në “Propozimin Evropian” të draft-statutit të këtij Asociacioni, ndërsa për Serbinë që të njohë dokumentet dhe simbolet e Kosovës. Në raport thuhet se progresi në normalizimin e raporteve është penguar edhe për shkak të situatës politike, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, si dhe nga mungesa e masave nga ana e Serbisë ndaj kryesve të sulmit në Banjskë, për të cilin në raport përsëritet se ka shënuar përshkallëzimin më të madh të sigurisë.

Përsëritet konstatimi se largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës në vitin 2022 dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale nga ta në prill të vitit 2023 kishte shënuar “kthim të rëndë prapa” në obligimet e Serbisë nga marrëveshjet e dialogut. Por edhe përshëndetet pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit dhe në ato të fundit lokale, që shihen si fillim i kthimit të tyre në institucionet e Kosovës.

“BE përsërit se kthimi i serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës, përfshirë gjyqësorin dhe organet e rendit, duhet të bëhet në përputhje me marrëveshjet nga dialogu dhe me respektim të plotë të kornizës ligjore të Kosovës”, thuhet në tekst.

Po ashtu kritikohet edhe angazhimi i Serbisë kundër Kosovës në forumet ndërkombëtare. Përsëritet thirrja për Kosovën dhe Serbinë që të zbatojnë obligimet nga Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi për zbatimin e saj dhe të angazhohen me vullnet më të madh drejt normalizimit të raporteve, duke evituar edhe gjuhën që shkon kundër frymës së normalizimit. Përsëritet se “formalitetet” rreth marrëveshjeve nuk duhet të merren si justifikim për moszbatimin e tyre.

Mali i Zi dhe Shqipëria në krye – Serbia në fund

Raportet më pozitivë këtë vit janë ato për Malin e Zi dhe Shqipërinë, që është edhe e logjikshme pasi këto vende kandidate kanë bërë më së shumti përparim në procesin e negociatave të anëtarësimit. Raporti më negativ pritet të jetë ai për Serbinë, e cila në disa fusha nuk ka pasur fare progres, e në disa ka shënuar edhe kthim prapa.

Shqipëria thuhet se ka bërë “progres pa precedent” duke hapur një numër të madh të kapitujve në procesin e negociatave të anëtarësimit. Pritet që pas dy javësh Shqipëria të hapë edhe kapitujt e fundit. Ndërsa Mali i Zi ka arritur të mbyllë disa kapituj. Për Malin e Zi dhe Shqipërinë thuhet se kanë “plane ambicioze” për mbylljen e negociatave të anëtarësimit gjatë vitit 2026 në rastin e Malit të Zi apo 2027 në rastin e Shqipërisë.

Komisioni Evropian konstaton se është reale që të ketë zgjerim, pra pranim të vendeve të reja anëtare, deri në fund të mandatit të këtij Komisioni, pra para vitit 2030.

Serbia kritikohet për “ecje prapa” në lirinë e mediave, për mospërmbushje të obligimeve nga marrëveshja për normalizimin e raporteve me Kosovën, për mos ndërmarrjen e masave ndaj kryesve të sulmeve në Banjskë dhe për vazhdimin e bashkëpunimit me Rusinë, duke mos u përshtatur me qëndrimet e Bashkimit Evropian në rastin e sanksioneve.

Nga Serbia kërkohet që të ndërpritet retorika kundër BE-së dhe Perëndimit dhe të komunikohet si duhet qëllimi i Serbisë për integrim në Bashkimin Evropian.