Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

NJSI e Policisë Kufitare patrullon me barka lundruese në Ujman

Njësia për Ndërhyrjen e Shpejtë e Policisë Kufitare të Kosovës, me zyrtarët e saj të dielën ka realizuar patrullim me barka lundruese në liqenin e Ujmanit.

Policia e Kosovës po vazhdon realizimin e detyrave të përgjithshme të saj ku përfshihen: mbrojtja e jetës dhe pronës së qytetarëve, mbrojtja e të drejtave dhe lirive njerëzore pa dallim, parandalimi i rrezikut, hetimi dhe zbulimi i veprave penale deri te menaxhimi i kufirit shtetëror të Kosovës.

Patrullime të tilla, përveç mbikëqyrjes së kufirit ujor parandalojnë edhe veprat penale në kufij, ofrojnë sigurinë territoriale të ujërave, parandalojnë kalimet ilegale, kontrabandimin e mallrave, peshkimin ilegal, si dhe ofrojnë mbrojtjen ekologjike ujore.

Në njoftimin e Policisë thuhet se ky institucion mbetet i përkushtuar në garantimin e sigurisë së përgjithshme në vend dhe menaxhimin e kufirit shtetëror, bazuar në mandatin kushtetues dhe ligjor.