Arbëri

Njohësit druajnë se Perëndimit po i humbet durimi me Kosovën

Pas qëndrimit në Kosovë dhe Serbi të pesë emisarëve perëndimorë për dialogun, analistë në Prishtinë u treguan kritikë ndaj Qeverisë për pozicionin që mban në këtë proces. Mes tyre ka që druajnë se ndërkombëtarëve mund t’u humbë durimi me Kosovën

Njohës të politikës së jashtme vlerësuan të shtunën se lidershipi kosovar ka nisur t’ua humbë durimin emisarëve ndërkombëtarë, të cilët kanë intensifikuar përpjekjet për një marrëveshje Kosovë-Serbi.

Një ditë më parë, në Prishtinë dhe Beograd qëndroi ndërmjetësuesi i dialogut, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i Francës, Emmanuel Bonne, i dërguari i Gjermanisë, Jens Plotner dhe këshilltari i Qeverisë italiane, Francesco Talo.

Temë e diskutimeve ishte propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilin ndërmjetësuesit nga Perëndimi theksuan se kanë pritur nga Prishtina më shumë mirëkuptim rreth mundësive që ofron propozimi. Ndërkaq në Beograd, sipas tyre, kanë vënë re një “qasje të përgjegjshme dhe gatishmëri për vendime të vështira”.

Analistët thonë se kritika ndërkombëtare ndaj Qeverisë së Kosovës ishte e hapur.

“Ishte një lloj kritike e cila mund të jetë e bazuar mbase edhe në harxhimin e durimit të aleatëve tanë me lidershipin kosovar”, i tha Kohës Artan Muhaxhiri, njohës i proceseve politike. “Sepse, përkundër gjithë këtyre investimeve nga ana e tyre, nga ana kosovare ka një lloj neglizhence, një lloj refuzimi për të qenë më elastikë që ndonjëherë shkon edhe në kufi të arrogancës që kundërvlerë e ka bllokimin e dialogut dhe izolimin e mëtejshëm të Kosovës”.

Edhe analisti Dritëro Arifi thekson se Bashkimi Evropian, por edhe SHBA-ja po synojnë që sa më parë ta përmbyllin procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha përfaqësuesit ndërkombëtarë po presin nga kryeministri Kurti t’i përshtatet më shumë rrethanave.

“Kjo është një shenjë që dialogu nuk është dinamizuar, por fuqitë e mëdha po dëshirojnë ta përfundojnë dialogun. Po vërehet se ka një presion jashtëzakonisht të madh ndaj Kosovës, por edhe palës tjetër. Mesazhet ishin se bisedimet ishin në rregull, por BE-ja dhe SHBA-ja ndoshta kanë pritur më shumë nga Kosova që të jetë fleksibile”, ka deklaruar ai.

Por, ka të tjerë që e mirëkuptojnë Qeverinë në qëndrimin që mban për çështje që lidhen me dialogun, përfshirë edhe vërejtjet për planin franko-gjerman.

Analisti Seb Bytyqi thotë se pala kosovare mund të ketë pasur arsye për mospajtimet që ka shprehur gjatë takimit. Sipas tij, Kosova e ka pranuar propozimin franko-gjerman si bazë, porse jo si version të fundit.

“Lë të kuptohet se Kosova ka pasur vërejtje serioze për propozimin që ashtu edhe duhet të jetë sepse ka disa mangësi mjaft të rëndësishme propozimi i BE-së dhe Kosova duhet t’i japë vërejtjet e veta dhe ato duhet të merren parasysh”, ka deklaruar Bytyqi.

Të premten Lajçak u ankua për mungesë mirëkuptimi nga ana kosovare, e u deklarua i kënaqur me gatishmërinë që shprehu pala serbe. Por, megjithëkëtë, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, takimin me të pesë emisarët e cilësoi si më të vështirin për Serbinë.

“Dje ishte një nga ditët më të vështira për shtetin tonë dhe unë s’kam mbajtur kurrë asgjë fshehtas nga populli në Serbi kur ndodhin gjëra të tilla. Do të kemi shumë telashe dhe probleme me të cilat do të përballemi në të ardhmen dhe për këtë na duhet uniteti”, është shprehur Vuçiq.

Ndërmjetësit ndërkombëtarë kanë shprehur përpjekjen për të organizuar takime mes palëve, në të cilat dialogu do të zhvillohej konform planit franko-gjerman.

Analisti Muhaxhiri thotë se duhet të ekzistojë vullneti tek Kosova dhe Serbia për një takim të këtillë, meqë sipas tij, ka interesim të shtuar nga ndërkombëtarët për këtë.

Ai ka theksuar se edhe Kosova duhet ta shtyjë përpara planin franko-gjerman pasi thotë se në rrethanat aktuale është ndër gjetjet më të mira për normalizim të marrëdhënieve në mes të dyja vendeve.

“Investimet dhe interesimet ndërkombëtare e të aleatëve janë maksimale edhe sivjet por edhe vitin e kaluar. Prandaj pritet që të ketë presione të shtuara por gjithsesi gjithçka do të varet nga vullneti, gatishmëria, kreativiteti e dëshira e lidershipit tonë, që të jenë të gatshëm e më realistë, në mënyrë që të shkohet drejt arritjes së marrëveshjes finale, sepse sjellja bllokuese nuk ka bazë as historike e as në realitet”, ka vlerësuar ai.

Plani franko-gjerman parasheh që palët të zhvillojnë dialog në dy faza. Në të parët t’i trajtojnë mosmarrëveshjet që kanë mes vete, por pa përfshirë njohjen e ndërsjellë në të cilën insiston Kosova. Njohja parashihet të vihet në tavolinë, tek në një fazë tjetër.