Arbëri

Personazhi i Vitit – Populli i Kosovës (për votimin e ndryshimit, ndihmën pas tërmetit, mikpritjen për anglezët)

Në vitin 2019, si asnjëherë më parë qytetari i Kosovës ka lënë gjurmë me votën e tij. Më 6 tetor, si në referendum, u votua opozita dhe u ndëshkua pushteti. Partitë që kanë qeverisur në dy vitet e fundit i humbën zgjedhjet. PDK-ja doli e treta, AAK-ja e katërta, e NISMA mezi hyri në Kuvend si e pesta.

Zgjedhjet i fitoi Vetëvendosja me 29 deputetë e LDK-ja doli e dyta me 28, pas bashkëpunimit opozitar. Në këtë mënyrë, populli i Kosovës çoi mesazh se donte ndryshime, vetëm për t’u dëshpëruar më pas me pamundësinë e këtyre dyjave për t’u marrë vesh për formimin e qeverisë së re, raporton KTV.

Populli i Kosovës u tregua bujar edhe me mikpritjen që u bëri tifozëve anglezë të futbollit. Këtë nuk mund të besonin që ekzistonte një vend që i donte aq shumë, e që u paguante vazhdimisht birra. Natyrisht, kjo ndodhte mes tjerash, për shkak të rolit të jashtëzakonshëm të Britanisë së Madhe në çlirimin e Kosovës.

E populli i Kosovës edhe njëherë tregoi ndjenjën e ndihmës kur qindra vullnetarë u nisën drejt Shqipërisë për të ndihmuar pas tërmetit. Tonelata të tëra ushqimesh u mblodhën e u dërguan vazhdimisht në Durrës e Thumanë, pas tërmetit shkatërrues të nëntorit që la 50 shqiptarë të vdekur. Kosovarët, gjithashtu, hapën dyert për të prekurit që ikën nga qytetet e tyre. Secili ndihmoi me çka mundi, dhe ofrimi i ndihmës së këtij qytetari mori vëmendjen edhe të kryeministrit shqiptar, Edi Rama.