Punëtorët e Postës së Kosovës e kanë ndërprerë grevën edhe pse asnjëra nga kërkesat e tyre ende nuk është plotësuar.
Megjithatë, ende nuk e dinë se kur do t’u jepen pagat e muajit gusht dhe se kur do t’u paguhen humbjet, raporton KTV.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi kishte pritur në takim përfaqësuesit e kësaj sindikate, iu ka premtuar se “do të merret me problemet e tyre”.
Përfaqësuesve të Sindikatës u ka mjaftuar një fjalë e kryeministrit për ta ndërprerë grevën e tyre. Askush prej tyre nuk ka pranuar të prononcohet për këtë çështje.
Ndërkaq, Ministria e Financave nuk ka pranuar asnjë vendim nga qeveria për çështjen e pagave të punëtorëve të Postës.
“Sa iu përket mjeteve për Postën e Kosovës, ne nuk kemi kërkesë për trajtim të kësaj çështjeje dhe se kjo ndërmarrje është në kompetencë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Ndërsa, nëse do të kemi kërkesa shtesë nga organizata buxhetore - Ministria e Zhvillimit Ekonomik, sipas Ligjit të Buxhetit për vitin 2018, Neni 15, në tremujorin e fundit, Ministri i Financave ka të drejtën ligjore për të marrë veprime sipas kërkesave për rialokim të mjeteve, gjithmonë duke identifikuar mjetet e pashpenzuara nga organizatat buxhetore”, thuhet në përgjigjen e MF-së.
Edhe
Posta pezullon grevën pa iu plotësuar kërkesat
Kryetari i kësaj sindikate, Etrit Hoti, në deklaratë për KTV-në, në nisjen e grevës, pat thënë se greva nuk do të ndërpritet deri në plotësim të kushteve.
Punëtorët e Postës së Kosovës, të hënën e kaluar, patën hyrë në grevë me kërkesën kryesore që pagat e tyre t’iu dalin në kohë, ndërsa të enjten ata edhe protestuan para qeverisë.