Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nis zbatimi i vettingut në Shqipëri, shkarkohet gjyqtari i Kushtetueses

Tiranë, 23 mars - Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi sot shkarkimin nga detyra të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo, i cili nuk justifikon burimin e pasurive të tij.

Kryetarja e trupës gjykuese, Genta Tafa shpalli vendimin i cili bazohet në pikën 6, të nenit 55, të ligjit 84, viti 2016, për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

Në përfundim të procesit të rivlerësimit, trupa gjykuese vendosi shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Fatos Lulo, gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas kryetares së trupës gjykuese, Genta Tafa, vendimi i arsyetuar me shkrim i njoftohet subjektit të rivlerësimit, komisionerëve publikë dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve dhe publikohet në faqen zyrtare të Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Ky vendim ankimohet pranë Kolegjit të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose komisioneri publik, 15 ditë nga data e njoftimit. Ankimimi duhet të depozitohet pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Kjo ishte seanca e parë që zhvillohet në kuadër të vettingut nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.