Policia e Kosovës në bashkëpunim me Ambasadën amerikane ka ndërmarrë një ushtrim të përbashkët sigurie për reagim në situatë krizash. Për këtë qëllim,u vunë në veprim njësi të shumta policore dhe u përdorën pajisje të ndryshme. E sipas Policisë, qëllimi është që të testohen koha e reagimit dhe efikasiteti i policëve
Alarmi për emergjencë i aktivizoi pjesëtarët e policisë dhe ata të stafit të Ambasadës amerikane për veprim karshi një rreziku të simuluar sigurie brenda objektit diplomatik të SHBA-së në Prishtinë.
Pjesëtarë të policisë vepruan në kohë rekord, teksa forcat e rendit, njësitë speciale dhe ekipet e komunikimit të krizave u vunë menjëherë në gjendje gatishmërie. Brenda pak minutash u sigurua perimetri përreth objektit të Ambasadës e ekspertë të sigurisë e nisën menaxhimin e situatës.
Veprimi është pjesë e ushtrimit të sigurisë që u ndërmor të premten në bashkëpunim midis Policisë së Kosovës dhe Ambasadës amerikane, e zgjati për rreth gjashtë orë.
Për këtë synim, një numër i madh i pjesëtarëve të Policisë, përfshirë ata të trafikut dhe të njësiteve speciale nisën punën e koordinimit të procedurave.
Që ushtrimi të realizohet u bë bllokimi i qarkullimit të automjeteve dhe kalimtarëve nëpër rrugë. E për këtë arsye, policia ka kërkuar bashkëpunim dhe mirëkuptim nga qytetarët.
Në Polici thanë se qëllimi i ushtrimit është testimi i efikasitetit të zyrtarëve policorë për reagim të shpejtë dhe i pajisjeve për reagim ndaj krizave.
Sipas Policisë, në këtë ushtrim do të përfshihet përdorimi i shtuar i mjeteve dhe i pajisjeve të ndryshme policore, si altoparlantët, sirenat dhe mjetet e ndryshme logjistike policor.
Ushtrimi i nisur nga ora 15:00 zgjati deri në orën 20:20.
FOTO:
VIDEO:
Përfundon me sukses ushtrimi për reagim ndaj krizave i Policisë dhe Ambasadës amerikane
Policia e Kosovës ka njoftuar se ushtrimi i përbashkët në shkallë të gjerë me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë të premten është realizuar me sukses të plotë. Ushtrimi u zhvillua në zonën e Ambasadës amerikane në lagjen “Arbëria” nga ora 15:00 deri rreth orës 20:30 dhe kishte për qëllim testimin e gatishmërisë institucionale, forcimin e kapaciteteve reaguese si dhe koordinimin ndërmjet njësive relevante në raste krizash dhe emergjencash.
Në këtë aktivitet u angazhuan rreth 790 zyrtarë të profileve të ndryshme. Gjatë ushtrimit u demonstrua funksionimi efektiv i mekanizmave të komunikimit dhe reagimit të shpejtë, si dhe bashkëveprimi i ngushtë ndërmjet zyrtarëve të Policisë dhe personelit të sigurisë së Ambasadës amerikane.
Skenarët e simuluar përfshinë menaxhimin e situatave të ndryshme të krizës, përdorimin e mjeteve të specializuara të sigurisë dhe testimin e procedurave operative në kushte reale.
“Falë profesionalizmit të njësive të angazhuara dhe bashkëpunimit të qytetarëve, ushtrimi u zhvillua pa asnjë incident”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia e Kosovës ka vlerësuar lart performancën e të gjitha departamenteve, drejtorive dhe njësive policore të përfshira, duke falënderuar në mënyrë të veçantë qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik për mirëkuptimin gjatë riorientimeve dhe ndërprerjeve të përkohshme të qarkullimit në zonën e ushtrimit.
Ky ushtrim, sipas Policisë, konfirmon edhe një herë partneritetin e fuqishëm dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me Ambasadën amerikane dhe institucionet e tjera, me qëllim garantimin e një ambienti të sigurt për qytetarët, institucionet dhe stafin diplomatik në Kosovë.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë me aktivitete të ngjashme, në funksion të rritjes së kapaciteteve profesionale, forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rritjes së nivelit të sigurisë në vend.