Arbëri

Nis punimet Seminari i mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë

I ka filluar punimet “Seminari i XIII mbarëkombëtar i mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë”, i cili mbahet në organizim të ministrive të Arsimit të Kosovës dhe Shqipërisë, nga data 1-4 gusht 2017 në Gjakovë.

Me këtë rast, ministri Arsim Bajrami, fillimisht ka falënderuar mësimdhënësit e pranishëm dhe të gjithë ata që janë të angazhuar në procesin e mësimdhënies në diasporë, për të cilët tha se me punën e tyre po japin një kontribut me vlerë të jashtëzakonshme për mësimin e gjuhës shqipe, kultivimin dhe ruajtjen e kulturës sonë kombëtare .

“Ky seminar që ka tubuar mësimdhënës nga të gjitha viset shqiptare dhe të tillë që jetojnë në vende të ndryshme të botës, padyshim se është një ngjarje e rëndësishme edukativo kulturore e nivelit kombëtarë dhe se ne u jemi mirënjohës për kontributin tuaj të dëshmuar ndër vite”, tha ministri Bajrami.

Në vazhdim, Bajrami theksoi nevojën e mbështetjes së mërgatës sonë, të mbështetjes në rrugë institucionale, të dëgjojmë zërin e tyre, “që puna juaj të jetë institucionale e mbështetur dhe financuar nga shtetet tona, që mësimi që marrin nxënësit tanë të jetë një mësim zyrtar i certifikuar dhe njohur nga dy shtetet tona përmes certifikatave dhe të jetë sa më shumë i integruar”.

Ai po ashtu theksoi se kjo ngjarje është edhe një mundësi e mirë që të shkëmbehen përvojat dhe në fund të nxirren konkluzionet në bazë të të cilave edhe do të shqyrtojmë mundësitë e mbështetjes sonë për të zhvilluar kapacitetet që të kemi një mësim cilësor.

Të pranishmit më një fjalë rasti i përshëndetën edhe ministrja e Arsimit të Shqipërisë, Mirela Karabina dhe ministri për Diasporë, Valon Murati.

Ndryshe, sivjet po marrin pjesë rreth 120 mësimdhënës të angazhuar në shumicën e vendeve evropiane, aty ku në fakt edhe jetojnë. Seminari do të trajtojë tema të ndryshme me interes ndërsa mësimdhënësit do të kenë mundësinë që të këmbejnë përvojat më të mira në mësimdhënie.