Arbëri

Me protestë kërkohet lejimi i tërheqjes nga Trusti

Me kërkesën që të lejohet tërheqja e mjeteve deri në 30 për qind nga Fondi Pensional, qytetarë e deputetë të vendit kanë protestuar para objektit të Qeverisë të enjten.

Ata kanë kërkuar nga Qeveria dhe pushteti që të lejojnë një gjë të tillë, duke thënë se janë mjetet e tyre dhe jo të Qeverisë.

Protestës i është bashkuar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, që është inicues i ndryshimeve ligjore që lejojnë tërheqjen e mjeteve nga Trusti. Edhe deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës u janë bashkuar protestës.

Gjatë ecjes nga sheshi “Zahir Pajaziti” për tekndërtesa e Qeverisë, atyre ju janë bashkuar edhe qytetarë të tjerë.

Ata para ndërtesës së Qeverisë dhe Kuvendit kanë brohoritur emrat e deputetëve që t'i votojnë ndryshimet ligjore.

Kryetari i Sindikatës së KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka thënë se mbi 90 për qind e punëtorëve të KEK-ut mbështesin tërheqjen e mjeteve nga Trusti, duke u bërë thirrje deputetëve të votojnë për lejimin e tërheqjes.

Opozita është pro lejimit të një tërheqje të re nga Trusti, por pushteti këmbëngul se një gjë e tillë do ta dëmtonte ekonominë e vendit.

Ndryshimi ligjor që mundëson tërheqjen ka shkuar në Kuvend pa aprovimin e Qeverisë dhe të Komisionit të Buxhetit.

Protestuesit kanë paralajmëruar protesta tjera nëse nuk lejohet tërheqja.

{gallery}