18:13 - Ka nisur grumbullimi i anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, përfshirë edhe shefat e Grupeve Parlamentare.
Në këtë mbledhje do të shqyrtohet Ligji për marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi.
Në këtë takim po mungojnë përfaqësuesit e Listës Serbe.
Kuvendi njofton zyrtarisht se në orën 18:00 mblidhet Kryesia
17:30 - Kuvendi i Kosovës përmes një komunikate për media ka konfirmuar se në ora 18:00 do të mblidhet Kryesia për të shqyrtuar kërkesën për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme për ratifikimin e demarkacionit.
Kryesia do të mblidhet në ora 18:00, transmeton Koha.net.
“Shqyrtimi i kërkesës për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme, me këtë rend dite: Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi”, thuhet në komunikatën e Kuvendit.
Kryesia e Kuvendit mblidhet sonte
17:05 - Kryesia e Kuvendit mblidhet sonte në orën 18:00, për të caktuar seancën ku pritet të ratifikohet marrëveshja e Demarkacionit, kanë bërë të ditur burime të KTV-së.
Burime të KTV-së, bëjnë me dije se një seancë e jashtëzakonshme në të cilën mund të miratohet Marrëveshja e demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi mund të thirret sonte.
E nëse jo sonte, më së largu deputetët mund të mblidhen nesër.
Koha.net raportoi edhe më parë se seanca për të miratuar më në fund vijën kufitare në pjesën perëndimore të Kosovës mund të mbahet para seancës solemne të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Memli Krasniqi, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, ka thënë për Koha.net se sonte nuk ka mundësi që të mbahet seanca, megjithatë, ai ka shprehur gatishmërinë e deputetëve të partisë së tij për pjesëmarrje në seancë kurdo që ajo thirret.
Portali ka provuar të kontaktojë edhe me sekretariatin e Kuvendit të Kosovës, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.
