Nuk është konstituuar përbërja e re e Kuvendit as në vazhdimin e parë të seancës konstituive, pas aktgjykimit të Kushtetueses. Asnjë nga dy propozimet për kryeparlamentar që dha Lëvizja Vetëvendosje nuk morën votat e mjaftueshme. E pas dështimit të radhës, ligjvënës të të dyja kampeve politike u janë kthyer akuzave të ndërsjella
Është përsëritur dështimi për ta konstituuar përbërjen e re të Kuvendit edhe në vazhdimin e parë të seancës, që është thirrur pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Deputetët e legjislaturës së nëntë, pas më shumë së dy javësh pauzë, u kthyen në sallën plenare, në të cilën janë përfillur dy udhëzime që ka dhënë Kushtetuesja, por bllokada politike ka mbetur.
Konform aktgjykimit, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, braktisi kërkesën që partitë politike të ofrojnë propozimet për anëtarë të Komisionit që do të organizonte votimin e fshehtë. Ai kumtoi se votimi do të jetë i hapur, dhe se i njëjti kandidat nuk mund të propozohet më shumë se tri herë.
Lëvizja Vetëvendosje, që është subjekt fitues i zgjedhjeve, përsëriti propozimin që Albulena Haxhiu të vihet në votim për kryetare të Kuvendit. Por, nuk arriti t’i sigurojë votat e nevojshme të deputetëve, përkatësisht së paku 61 për.
“Për kanë dhënë votën 57 deputetë, kundër 56, tre veta kanë abstenuar... Konstatoj se kandidatja e propozuar nuk ka marrë votat për të kaluar dhe për t’u zgjedhur. Ftoj sërish përfaqësuesin e Vetëvendosjes për propozim”, ka kumtuar Dehari.
Kjo është hera e shtatë që kandidatura është vënë para deputetëve dhe nuk ka marrë votat, ngjashëm si gjashtë herët e tjera të votimit, që janë organizuar në vazhdimet e para të seancës konstituive.
Pas konstatimit të mungesës së votave, në emër të Vetëvendosjes, deputeti Glauk Konjufca për herë të parë dha një propozim të ri për këtë pozitë, atë të deputetes Donika Gërvalla, e cila është bashkëkryetare e Partisë Guxo, që në dy palë zgjedhjet e fundit nacionale ka garuar në listën e Vetëvendosjes. Kandidatura për kryeparlamentare e ministres në detyrë të Punëve të Jashtme nxiti të qeshura te ligjvënësit e partive oponente të Vetëvendosjes.
Në këtë situatë, Konjufca pati edhe një porosi për deputetët.
“Mirë, atëherë kësaj radhe Lëvizja Vetëvendosje e propozon deputeten Donika Gërvalla për kryetare të Kuvendit të Republikës së Kosovës... Mos qeshni, por ju lutem votojeni atë”, tha ai.
Njëjtë sikurse Haxhiu, edhe Gërvalla nuk mori votat e mjaftueshme.
Më pas, kryesuesi Avni Dehari e ndërpreu seancën dhe bëri të ditur se vazhdimi i radhës do të thirret brenda 48 orësh.
“57 deputetë kanë votuar për, kundër kanë qenë 56, kanë abstenuar 3 veta. Kandidatja e propozuar nuk ka kaluar. Për sot ndërpritet seanca. Shihemi më 22 gusht, në orën 11:00”, ka thënë Dehari.
Deputetja Albulena Haxhiu, pas dështimit të zgjedhjes së saj dhe të Gërvallës, tha se nuk ka qenë problem emri i saj, por problemi që kanë subjektet e tjera politike është me Vetëvendosjen.
“Propozimi i dytë i Vetëvendosjes ishte Donika Gërvalla dhe ne nuk e propozuam vetëm rastësisht. Donika Gërvalla së pari është gruaja e dytë më e votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe besoj që kjo duhet të ketë rëndësi për të gjithë, sepse janë votat e qytetarëve që kanë përcaktuar këtë rezultat. Është zëvendëskryeministre, është person jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse me Donikën ne kemi pasur një partneritet të shkëlqyer, një bashkëpunim tepër të mirë. Për ne kjo ka shumë rëndësi, siç e kanë përmendur edhe përfaqësuesit e Vetëvendosjes, ne menduam se do të kalojë ky propozim. Mirëpo, ja që opozita nuk dëshiron që të ndryshojë qëndrimin. Besoj që kurdo që ndodhin zgjedhjet e jashtëzakonshme do ta marrin goditjen e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Haxhiu. “Besoj që sot jeni bindur që nuk ka qenë problem emri im. Problemi është me Vetëvendosjen. Pra, opozita bashkë me Listën Serbe, sepse sot edhe një herë u dëshmua që PDK, LDK, AAK, Lista Serbe janë bashkë. Pra ata në vazhdimësi kanë qenë bashkë dhe sot u dëshmua që janë bashkë”.
Dy lëvizje
Në këtë proces votimi dy deputetë ndërruan votën.
Veton Berisha, ligjvënës nga radhët e komuniteteve joserbe, votoi pro. Këtë e kishte premtuar më herët, duke thënë se do të ndërronte sjellje kur të kthehej votimi i hapur.
E, Gërvalla nuk ka arritur t’i marrë të gjitha votat e deputetëve të Vetëvendosjes.
Për nuk votoi Shqipe Mehmeti-Selimi, bashkëshorte e ish-kryetarit të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi.
Ajo tregoi në Facebook arsyen e veprimit, duke shpërndarë dy postime akuzuese që Gërvalla i ka publikuar kundër ish-deputetit që ndodhet në Hagë, në procesin gjyqësor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ajo tha se mospjesëmarrja në votim nuk lidhet me motive partiake, por me qëndrimet e mëparshme të Gërvallës.
“Në përgjigje të interesimit të madh të mediave dhe opinionit publik lidhur me arsyen se pse nuk mora pjesë në votim gjatë seancës së sotme, dëshiroj të sqaroj se mospjesëmarrja ime nuk lidhet me motive partiake. Ajo ka të bëjë me një postim të datës 7 shkurt dhe 25 mars 2020, të cilin po e bashkëngjis në këtë shkrim. Këtë shpjegim po e bëj për hir të transparencës dhe respektit ndaj opinionit, mediave dhe në veçanti, përkrahësve e votuesve të Lëvizjes Vetëvendosje. I falënderoj për mirëkuptimin kolegët, aktivistët dhe votuesit e Lëvizjes”, ka shkruar deputetja Mehmeti-Selimi në Facebook.
Më 7 shkurt 2020, Gërvalla ia ka përmendur Hagën Selimit.
“Nëse mund t'iu besohen informacioneve të mediumeve të ndryshme, Rexhep Selimi qenka propozuar si kryetar i grupit parlamentar të VV-së. Ky do të ishte një sinjal shumë i shëmtuar, jo vetëm për faktin që Rexhep Selimi është një prej të dyshuarve të Hagës”, pati shkruar ajo.
E, më 20 mars, Gërvalla e ka kategorizuar Selimin si figurë të botës së krimit.
“Sa të gërditshëm me e pa pikërisht Rexhep Selimin duke folur për shtetin e së drejtës. Fakti më i shëmtuar që as LVV nuk ka arritur të çlirohet tërësisht nga figurat e saj të diskredituara të botës së krimit”, pati shkruar Gërvalla.
Gërvalla është bashkëkryetare e partisë “Guxo”, që në dy palë zgjedhjet e fundit nacionale ka garuar në listën e kandidatëve për deputetë të Vetëvendosjes. Bashkëkryetari tjetër, Faton Peci, akuzoi deputetët që nuk votuan pro kandidaturës së saj për kryeparlamentare, duke thënë se ata ngritën dorën kundër vajzës së Jusuf Gërvallës.
“Dita e sotme për mua do të mbetet në kujtesën historike dhe për gjithë jetën për shkak se e kam parë me sytë e mi se si në unison dhe në kor ka koordinim në mes të PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Listës Serbe që vajza e heroit të kombit Jusuf Gërvalla dhe mbesa e heroit të kombit Donika Gërvalla – dhe mbesa e nënës Ajshe të mos jetë kryetare e Kuvendit”, ka thënë Peci.
Rikthehen akuzat
Dështimi për t’i dhënë zgjidhje ngërçit politik edhe në nisje të serisë së re të vazhdimit të seancës konstituive, ka rikthyer akuzat e ndërsjella mes përfaqësuesve të Vetëvendosjes dhe oponentëve të saj.
Përfaqësues të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së theksuan se qëllimshëm janë propozuar për kryeparlamentare Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla, duke e ditur se ligjvënësit e këtyre partive nuk do t’i votojnë.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se deputetët e subjektit politik që i përket, qëndrojnë pas zotimit për ta votuar për kryetar Kuvendi këdo që nuk ka qenë pjesë e Qeverisë Kurti 2.
“Kemi një rikthim te pika ku kemi qenë e prej ku nuk është dashur të ishim larguar asnjëherë, por që jemi larguar për shkak të tendencës bllokuese të Lëvizjes Vetëvendosje. Partia Demokratike e Kosovës, siç ka thënë këtu prej fillimit, e përsërit qëndrimin e vet: ne do ta votojmë një kandidat a kandidate të pranueshme nga radhët e partisë së parë që s’ka qenë pjesë e Qeverisë së Albin Kurtit”, ka thënë Krasniqi. “Ne erdhëm sot me shpresën se Lëvizja Vetëvendosje do të rezonojë arsyeshëm dhe do të propozojë kandidat që do të votohej. Megjithatë, ata dolën me dy propozime, ndryshe nga herët e kaluara kur kanë propozuar vetëm një. Nuk e di me çfarë logjike e mbylli Dehari seancën, kanë mundur t’i propozojnë edhe të tjerët sot”.
E, përfaqësues të LDK-së mbeten pas qëndrimit për të mos votuar pro asnjë propozimi, pa marrëveshje paraprake.
Deputetja Hykmete Bajrami ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka interes për ta konstituuar Kuvendin.
“Ne nuk e votojmë asnjë. Megjithatë, ka parti politike parlamentare të cilat kanë dhënë alternativat e tyre dhe janë diku rreth më shumë se 30 deputetë që do t’i merrnin votat e partive të tjera politike”, ka thëën Bajrami, e cila ka akuzuar për shkelje ligji deputetët e Vetëvendosjes që mbajnë detyra edhe në Qeveri. “Është fatkeqësi që ne sot nuk kemi institucione. Zyrat e Qeverisë janë të uzurpuara nga njerëz që ju ka kaluar mandati. Ne i bëjmë thirrje Prokurorisë Speciale të merret seriozisht me 17 kallëzime penale që ne i kemi dorëzuar”.
Ndryshe nga PDK-ja që ka treguar parimin në bazë të të cilit voton kandidatin e LVV-së, dhe ndryshe nga LDK-ja që mbetet pas qëndrimit për të mos votuar asnjë të propozuar për kryeparlamentar, AAK-ja ka vënë kushte për votën.
Deputetja Time Kadrijaj ka thënë se vota për është vetëm për disa nga emrat e vetëvendosjes.
“Meqenëse kemi premtuar, sepse me zhvillimet që po bëhen ndoshta s’e meriton asnjë kandidat i Vetëvendosje të ketë votën e opozitës dhe ndoshta duhet me e shqyrtu, por ne kemi ofruar alternativa në mënyrë që t’i kontribuojmë zhbllokimi të situatës dhe për zhbllokimin e situatës këta po shihet se nuk janë të interesuar”, ka thënë ajo. “Qëllimshëm po propozojnë kandidatë që nuk e marrin shumicën e votave”.
Paralajmërimi për reflektim
Por, ligjvënës që janë pjesë e subjektit politik që ka fituar zgjedhjet, arsyetuan vendimin për propozimet për kryeparlamentar dhe akuzuan partitë oponente se janë rreshtuar me Listën Serbe.
Deputeti Hekuran Murati, ka thënë se u vërtetua se në Kosovë janë dy blloqe – njëri me 57 vota që ka dalë nga votat e popullit dhe blloku tjetër, LDK, PDK, AAK, Lista Serbe dhe disa deputetë në mes, që e duan të bllokuar Kuvendin.
“Kur ne propozuam Albulena Haxhiun, na thanë që ‘nuk e votojmë atë’. Sot kur u ndryshua kandidati sërish është situatë identike. Kjo është dëshmi që kemi të bëjmë me taktika bllokuese. Qëllimi i tyre është që ta kthejnë një qeverisje të vitit 2019 kur ka qenë edhe Lista Serbe në Qeveri”, ka thënë ai.
Sipas tij, po të ishte mundësuar votimi i fshehtë, njëra nga kandidatet do të ishte votuar, teksa vendimin e Kushtetueses e ka quajtur të çuditshëm.
Ndërkaq, ka thënë se Vetëvendosja do të reflektojë pas rezultatit të votimit.
“Kemi pasur takim të brendshëm, jemi konsultuar dhe kemi ardhur në përfundimin që pas Albulena Haxhiut nëse nuk votohet Albulena Haxhiu të kemi kandidaten Donika Gërvalla që e propozojmë që të mos mbetet se nuk po e ndërrojmë kandidatin. Pra, ne kemi besuar që do të kemi reflektim nga opozita. Kjo situatë është situatë që nuk e kemi pritur dhe neve na duhet të reflektojmë përsëri nëse duhet vepruar ndryshe apo jo”, ka thënë Murati.
Murati bëri të ditur se grupi parlamentar në takimin e radhës do të vendosë për propozimin për kryeparlamentar, që do të ofrohet në vazhdimin e radhës të seancës.
Në të gjitha vazhdimet e seancës konstituive, rol neutral kanë mbajtur tre deputetët e Nismës Socialdemokrate. Kryetari i kësaj partie, Fatmir Limaj, ka thënë se pa marrëveshje, nuk do të votojë pro.
“Partia e parë më të drejtën e propozimit për kandidat siç e thotë edhe aktgjykimi përveç të drejtës ka edhe obligime që të punojë fortë për të ndërtuar një shumicë qeverisëse parlamentare e cila do t’i jepte vendit institucione dhe presim që këta hapa t’i bëjë partia që ka të drejtën e propozimit”, ka thënë Limaj, i cili në takimet e mëhershme me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka insistuar ta marrë postin e kryeparlamentarit. “Ne e kemi hap një mundësi, mundësitë janë të hapura, dëshira dhe angazhimi jonë është për t’ia ofruar mundësinë Kosovës për institucione... Ne nuk kemi votë pa një marrëveshje politike e cila prodhon ndërtimin e institucioneve”.
Që kur ka nisur seanca konstituive më 15 prill, deputetët kanë mbajtur edhe 54 vazhdime deri më 26 korrik, por kanë dështuar ta përmbyllin atë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e shmangu votimin e hapur dhe kërkoi formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar. Kjo u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtarë për këtë komision.
Më pas lënda është adresuar në Kushtetuese, e cila ka nxjerrë dy vendime. Në bazë të aktgjykimit të dytë, që u publikua më 19 gusht deputetët obligohen që ta përmbyllin konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh. Bazuar në të, votimi për kryeparlamentarin duhet të jetë i hapur, ndërsa i njëjti propozim për këtë post nuk mund të bëhet më shumë se tri herë. Sipas aktgjykimit, të gjithë deputetët prezentë duhet ta shprehin vullnetin e tyre me votë: për, kundër ose abstenim.
Kushtetuesja ka konstatuar se deputetët e zgjedhur nuk e kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit dhe rrjedhimisht të gjitha vazhdimet e seancës të mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik i ka shpallur të pavlefshme.