Hekuran Murati, propozimi i radhës i Lëvizjes Vetëvendosje nuk mori mbështetjen e mjaftueshme për postin e Kryetarit të Kuvendit. Në seancën e mbajtur të premten, për të votuan 57 deputetë, kundër ishin 52, ndërkaq 6 abstenuan - për herë të parë edhe AAK-ja. Para nisjes së seancës partitë që legjislaturën e kaluar ishin opozitë kërkuan konsulta dhe marrëveshje për emrin e kandidatit, por të cilat nuk u refuzuan nga kryesuesi i Seancës
Ka dështuar propozimi i radhës i Lëvizjes Vetëvendosje për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Deputeti Hekuran Murati ishte kandidati për të cilin në seancën e së premtes votuan 57 deputetë, 52 ishin kundër, ndërkaq gjashtë deputetë abstenuan. Pos Nismës Socialdemokrate që veproi njësoj edhe për dy kandidaturat e mëparshme, Albulena Haxhiun e Donika Gërvallën, për herë të parë abstenuan edhe deputetët e AAK-së.
Seanca nisi me skenarin e njëjtë sikurse e dy ditëve më parë që u mbajt pas publikimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, me ndryshimin se AAK-ja paraprakisht kërkoi konsulta nga kryesuesi Avni Dehari. Por ato nuk u mbajtën dhe Dehari e ftoi partinë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit ta japë propozimin. Veç shpalosjes së emrit, ani se nuk lejohet me rregullore, deputetja Donika Gërvalla foli për siç tha, sukseset e Hekuran Muratit si ministër i Financave tek ua kërkoi votën deputetëve.
“Hekuran Murati ka bërë një punë të shkëlqyeshme si ministër i Financave, Punës dhe transfereve në periudhën 2021-20-25...|, ka thënë Gërvalla.
Fjalimi i saj u shoqërua me zhurma nga deputetët e ish-opozitës që i kërkonin kryesuesit t’ia ndalë fjalën. Vota kundër u paralajmërua para nisjes së seancës nga përfaqësues të të gjitha subjekteve.
Para nisjes së seancës, deputeti i Lidhjes Demokratike, Lutfi Haziri e përsëriti se ngërçi nuk mund të zgjidhet pa marrëveshje politike, pjesë e së cilës e përsëriti se nuk bëhet LDK-ja.
“Nuk kemi asgjë të re. Uroj që me kalu këtë klimaks politik dhe me ndërtu një marrëveshje që i garanton zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Për pak muaj as presidentja nuk mund ta kryejë funksionin. Kosova ka ra në një gropë të thellë”, tha Haziri.
E Ramush Haradinaj i AAK-së deklaroi se është i nevojshëm një koordinim paraprak tek paralajmëroi konsulta me shefat e grupeve parlamentare dhe kryesuesin e seancës para nisjes së seancës konstituive.
“Përmes koleges tonë, Times, do të kërkojmë konsultë përpara seancës me shefat e grupeve dhe kryesuesin, nëse ka gatishmëri dhe në nivel të kryetarëve të partive për të diskutuar për kandidaturat, kush mund të jetë kandidat. Kemi shumë emra të tjerë në Vetëvendosje që do t’i votonim”, ka thënë ai.
Marrëveshje politike për konstituimin e institucioneve ka kërkuar edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili pasi ndau rrugët me AAK-në në Kuvend përfaqësohet me tre deputetë.
“Nuk duhet të na befasojë emri i kryetarit të Kuvendit, duhet të dihet paraprakisht, të ketë 61 vota të shkohet dhe të votohet ka vendimmarrje politike siç ka ndodhur herët e tjera... Sikurse ka ndodhur gjithherë, kur ju nuk i keni votat e mjaftueshme, bëni përpjekje për marrëveshje politike e cila garanton dhe siguron shumicën parlamentare nga e cila del edhe kryetari i Kuvendit dhe Qeveria e Kosovës. Këto ditë që kanë mbetur duhet të shfrytëzohen nëse duam që të ndërtojmë institucionet. Kjo është rruga. Çfarëdo zgjidhje parciale provokon situata të tjera e jo krijim të institucioneve”, ka thënë Limaj.
Meqë kandidati i propozuar, Hekuran Murati nuk mori 61 votat e domosdoshme sa duhen për t’u zgjedhur kryeparlamentar, Kryesuesi e ndërpreu seancën për 48 orë. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, afati për konstituimin e Kuvendit është 30 ditë dhe deri tash janë konsumuar katër ditë.