Në ditën e 133-të nga bllokada institucionale do të mbahet një seancë tjetër për konstituim të Kuvendit të Kosovës.
Nga partitë politike nuk ka pasur sinjale se sot do të mund t’i jepet fund ngërçit i cili ka nisur që nga 15 prilli.
Deputetëve të Kuvendit të Kosovës u kanë mbetur edhe 23 ditë afat kushtetues për ta konstituuar Kuvendin.
Seancën e kaluar, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, ministren në detyrë të Arsimit, Arbërie Nagavcin dhe deputetin Dimal Basha. Asnjëri nga ta nuk mori votat për kryeparlamentar.
Qëkur ka nisur seanca konstituive më 15 prill, deputetët i kanë mbajtur dhjetëra vazhdime deri më 26 korrik, por kanë dështuar ta përmbyllin atë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Në bazë të aktgjykimit të dytë të Kushtetueses, që u publikua më 19 gusht, deputetët obligohen që ta përmbyllin konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh. Bazuar në të, votimi për kryeparlamentarin duhet të jetë i hapur, ndërsa i njëjti propozim për këtë post nuk mund të bëhet më shumë se tri herë. Sipas aktgjykimit, të gjithë deputetët prezentë duhet ta shprehin vullnetin e tyre me votë: për, kundër ose abstenim.
