Sekretari për marrëdhënie me jashtë në Partinë Demokratike të Kosovës, Bernardin Nikaj, ka thënë se draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në formën që është, PDK-ja nuk e çon në Gjykatën Kushtetuese.
Por, ai ka shtuar se Qeveria do të duhej ta adresojë çështjen e draftstatutit të Bashkimit Evropian në Kushtetuese.
“Draftin në këtë formë ne nuk e dërgojmë në Gjykatë Kushtetuese assesi, por ka mënyra që drafti të kthehet në një draft që në bindjen tonë nuk e shkel kushtetutshmërinë”, ka thënë ai në “Konfront”.
Nikaj: Qeveria ka dështuar ta bindë BE-në se arsyet për masat kanë pushuar
Sekretari për marrëdhënie me jashtë në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Bernardin Nikaj, ka thënë se deklaratat e sotme të presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, gjatë vizitës në Kosovë tregojnë qartë se Qeveria në detyrë nuk ka arritur ta bindë Bashkimin Evropian se situata në veri është stabilizuar dhe se arsyet për masat ndëshkuese kanë pushuar.
“Presidenti Costa i ka përsëritur mesazhet që i janë dhënë Qeverisë edhe më parë nga figura të tjera të rëndësishme evropiane. Këto nuk janë deklarata të reja, por përforcim i kërkesave të BE-së për shtensionim dhe progres në dialog”, ka thënë Nikaj në “Konfront” të KTV-së.
Ai shtoi se fakti që një mesazh i tillë vjen nga një nivel i lartë si presidenti i Këshillit Evropian, që flet edhe në emër të shteteve anëtare, duhet të merret seriozisht nga Qeveria dhe spektri politik.
Sipas tij, Kosova nuk ka treguar përkushtim të mjaftueshëm për të shtensionuar situatën, ndërsa veprimet e fundit të Qeverisë, siç ishte mbyllja e zyrave ilegale gjatë ditës së sotme, sipas Nikajt, dëshmojnë mungesë koordinimi diplomatik.
“Aksioni i sotëm e dëshmon qasjen jodiplomatike të Qeverisë. Pse është dashur të ndodhin sot mbylljet, pikërisht në ditën kur vjen Costa? Ka munguar menaxhimi politik dhe diplomatik për të shmangur përplasjen me agjendën e BE-së”, shtoi ai.
Nikaj përfundoi se Qeveria ka dështuar ta bindë BE-në përmes diplomacisë se situata në terren është përmirësuar dhe se Kosova është e përkushtuar në përmbushjen e kërkesave të BE-së.