Ish-ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj, ka thënë se mos-shkarkimi i deritanishëm i ambasadorit në Kroaci, Martin Berishaj, mund të ketë ndodhur për dy arsye. Sipas tij, Berishaj ose është mik i mirë i presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, ose dy udhëheqësit e shtetit nuk kanë guxim të marrin vendime në momente kritike.
Nikaj ka thënë se pas këtij skandali, Berishaj duhej të kishte dhënë dorëheqje morale, por meqë kjo nuk ndodhi, ai duhej të shkarkohej.
“Një lajm i tillë është lajm shokues, lajmi ka rrjedh në një vend tjetër. Emri i ambasadorit është bërë pjesë e fushatës zgjedhore dhe zhvillimet politike të atij vendi. Një ngjarje e tillë ngushton mundësitë e ambasadorit për punë. Ka dëmtuar funksionimin e diplomacisë tonë edhe në Kroaci, edhe në Slloveni. Është skandal i madh diplomatik. Është skandaloze, dhe më shumë skandaloze është si po trajtohet kjo situatë. Kjo është skandal, nuk kthehet mbrapa”, ka thënë Nikaj në “Java Sonte Me Rronin”.
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës thotë se nuk ka rëndësi nëse ai është apo s’është fajtor, por përfshirja në këtë skandal, dëmton imazhin e Kosovës në sferën ndërkombëtare.
“Duke qenë këto pretendime, një ambasador nuk mund ta kryejë punën e vet. Ambasadori është i afërt me presidenten dhe kryeministrin. Ai mund të lirohet nga detyra, pasi ta sqaronte situatën, do të mund të punësohej në një pozitë tjetër. Pozita e ambasadorit është më e rëndësishme sesa pozita e brendshme. Ne nuk mund të përfaqësohemi nga të dyshuar. Deri sa sqarohet, nuk mund ta ushtrojnë funksionin e diplomatit. Dëmi i kësaj ngjarje, përtej diskutimeve, shkon përtej kufijve tanë. I dëmton interesat tanë në sferën ndërkombëtare. Nuk na nevojitet një imazh i tillë për të na përfaqësuar”, shtoi ai.
Nikaj ka thënë se sheh një ngathtësi të madhe nga kjo Qeveri për të marrë vendime në momente kritike. Si shembull ai mori krizën energjetike, ku u shpreh se Qeverisë iu deshën tre-katër muaj të merrte vendim.
Edhe
Rritet presioni – kërkohet largimi i Berishajt
“Po shoh paaftësi për ta çuar vendin përpara. Kjo qeverisje më shumë po krahasohet me të kaluarën, në vend se të ndërtonte një të ardhshme. Këtë qeveri do ta rrëzojnë ngjarjet më shpejt se sa e ka pritur”, ka deklaruar Nikaj.
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, akuzohet nga mediat në Lubjanë se është i përfshirë në një skandal për shpëlarje parash në Slloveni. Presidenca e ka ftuar për sqarime në Kosovë ambasadorin, megjithëse presidentja Osmani fillimisht kishte thënë se i beson versionit shfajësues të Berishajt. Kurti ndërkohë ka thënë se qëndrimin e tij e ka dhënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.