Arbëri

Ngrihet shqetësimi për rritjen e rasteve të dhunës seksuale ndaj fëmijëve

Në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve u tha se fëmijët në Kosovë nuk gëzojnë një jetë dinjitoze, e për këtë u bënë thirrje institucioneve që të ndërmarrin masa konkrete. Fëmijët dhe organizatat që merren me mbrojtjen e kësaj kategorie kanë shprehur shqetësimin për rritjen e rasteve të abuzimeve seksuale ndaj fëmijëve. E kryeministri Albin Kurti tha se fëmijët e Kosovës meritojnë më shumë vëmendje nga institucionet.

Veprime konkrete për të garantuar mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve është kërkuar nga organizatat për mbrojtjen e kësaj kategorie, në Ditën e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve.

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë, KOMF, ka shprehur shqetësimin për rritjen e rasteve të abuzimeve seksuale ndaj fëmijëve.

Sipas KOMF-it, rastet e abuzimeve seksuale të fëmijëve dëshmojnë mungesën e theksuar të seriozitetit të gjithë sistemit të drejtësisë, në trajtimin dhe ndëshkimin e kryerësve të abuzimit me fëmijët.

E nga organizata “Respect Our Rights” kanë thënë se shqetësuese mbetet edhe mungesa e sigurisë në ambientet e institucioneve arsimore.

Prandaj për nxënësen Era Thaqi është e rëndësishme që të krijohet një mjedis i favorshëm .

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që fëmijët të jenë prezentë në vendimmarrje dhe në të gjitha takimet ku diskutohet për të ardhmen tonë. Ne fëmijëve na nevojitet përkrahja e vazhdueshme, sepse duke qenë të përfshirë në mënyrë aktive në takime vendimmarrëse kjo ndikon në formësimin tonë që në të ardhmen të jemi qytetarë aktivë dhe të përgjegjshëm duke dhënë kontribut pozitiv në aktivitet. Fëmijët duhet të jenë prioritet çdo ditë”, ka thënë Thaqi.

Se fëmijët meritojnë me shumë nga institucionet e ka pranuar edhe kryeministri Albin Kurti, në takimin e Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve.

“Fëmijët meritojnë më shumë - vendi ynë meriton më shumë. Por edhe fëmijët meritojnë më shumë nga vendi ynë, nga shteti, nga institucionet e sistemi politik, ekonomik e kulturor të Republikës së Kosovës. Edhe vetëdije më e lartë shoqërore, edhe përgjegjësi më e madhe institucionale. Kjo ditë na bën thirrje, pra, për të bërë më shumë veprim kolektiv. Është detyra jonë që të rrisim e edukojmë fëmijë që do ta bëjnë botën edhe më të mirë, e shumë më të dashur e më të lumtur. Ne nuk jemi përgjegjës për botën çfarë e kemi gjetur, por jemi përgjegjës se si ajo ecën më tutje, dhe çfarë ua lëmë trashëgim atyre që do të vijnë pas nesh, e këtu, para së gjithash, e mbi të gjitha janë fëmijët”, ka thënë Kurti.

Këtë vit, sipas Kurtit, së bashku me presidenten e Kosovës, Bankën Botërore dhe UNICEF-in, kanë lansuar një Thirrje për Veprim për Zhvillimin e Fëmijërisë së Hershme, një udhërrëfyes për të siguruar që çdo fëmijë të ketë fillimin më të mirë të mundshëm në jetë.