Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve ka shprehur shqetësimin për neglizhim e mosveprim të institucioneve dhe për performancë të dobët të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve në parandalimin e situatave të sulmeve e abuzimeve seksuale dhe trajtimin e rasteve kur ata janë viktima.
Përmes një komunikate për media, KOMF-i ka bërë të ditur të martën, se është i indinjuar lidhur me krijimin e kulturës së mosndëshkimit të kryerësve të veprave të krimeve seksuale kundrejt fëmijëve.
Sipas njoftimit, kjo kulturë ka stimuluar një mjedis social të pasigurt e të rrezikshëm, ku shkelja e të drejtave themelore të fëmijëve, cenimi i integritetit të tyre fizik, moral dhe seksual, bëhet fenomen i zakonshëm e jo përjashtim.
“Viteve të fundit ka pasur rritje të vazhdueshme të numrit të rasteve të veprave kundër integritetit seksual të fëmijëve sikurse dhunimi, sulmi seksual, degradimi i integritetit seksual dhe keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi. Përkatësisht, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, në vitin 2021 janë shënuar 249 raste kundër integritetit seksual të fëmijëve”, thuhet në njoftim.
KOMF-i ka shkruar se veprat penale kundër integritetit seksual të fëmijëve janë duke ndodhur në ambiente si familje, komunitet, madje edhe në institucionet e mandatuara për mbrojtje të fëmijëve, si për shembull në institucione edukative e shkolla.
Njoftohet se sipas të dhënave nga Këshilli i Nxënësve të Kosovës, 34.4 për qind e raportimeve të nxënësve tregojnë se në shkolla ka mësimdhënës që ngacmojnë seksualisht, përderisa në sistemin për Menaxhimin e Informatave në Arsim nuk është raportuar asnjë rast i ngacmimit apo abuzimit seksual.
Kjo, sipas këtij koalicioni, tregon që sistemi i parandalimit dhe i raportimit brenda shkollave nuk është duke funksionuar.
“Rastet e abuzimeve seksuale të fëmijëve dëshmojnë dhimbshëm jo vetëm ngathtësinë dhe mefshtësinë e sistemit të mbrojtjes së fëmijës viktimë e abuzimit seksual, por edhe mungesë të theksuar të seriozitetit të gjithë sistemit të drejtësisë, në trajtimin dhe ndëshkimin e kryerësve të abuzimit seksual me fëmijët”, thuhet në njoftim.
KOMF-i ka kërkuar auditimin e trajtimit nga institucionet shtetërore të rasteve të dhunës seksuale ndaj fëmijëve, përfshirë trajtimin e kryesve të veprave penale që kanë të bëjnë me dhunë seksuale, gjatë pesë viteve të fundit, pastaj krijimin e databazës së personave të dënuar për vepra penale kundër integritetit seksual të fëmijëve dhe rrjedhimisht ndalimin e qasjes së tyre te fëmijët, sipas modeleve ekzistuese në hapësirën Evropiane.