Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nga fillimi i vitit, 56 persona në Komunën e Pejës kërkuan heqjen e shtetësisë

As të premten nuk ishte pa punë sporteli për shtetësi në Ofiqarinë e Komunës së Pejës, që pranoi disa kërkesa për lirim nga shtetësia e Kosovës.

Në mesin e tyre ishte edhe një familje disaanëtarëshe, që nuk pranoi të fliste rreth arsyeve. Një mërgimtar tjetër, që aplikoi pas tyre, prapa kamerës tregoi se është i detyruar ta zgjedhë njërën shtetësi, shkaku i ligjit në shtetin ku jeton.

Këta nuk janë të vetmit që janë shënuar këtë vit në librin zyrtar të shlyerjes së shtetësisë së Kosovës.

Shefi i Ofiqarisë në Pejë, Shefqet Thaqi, tregon se nga fillimi i vitit e deri të premten për lirim nga shtetësia kanë aplikuar 56 veta, 16 prej të cilëve vetëm në korrik.

“Tani pothuajse është lehtë ma i theksuar numri i rasteve për aplikim për lirim nga shtetësia e Kosovës. Ndërsa presim që edhe këtë javë dhe muajin gusht kërkesat të jenë ma të shumta”, ka thënë ai.

Edhe Në 11 vjetët e fundit, rreth 3 mijë e 300 pejanë janë liruar nga shtetësia e Kosovës Arbëri Në 11 vjetët e fundit, rreth 3 mijë e 300 pejanë janë liruar nga shtetësia e Kosovës

Kërkesat për lirim nga shtetësia dorëzoheshin prej mërgimtarëve nga disa shtete, por aktualisht, siç tregoi zyrtarja për shtetësi, dominojnë kërkesat e mërgimtarëve nga dy vende evropiane.

“Prej që ka filluar fluksi i mërgimtarëve me ardh, zakonisht e kemi Gjermaninë ndër shtete kryesore që e lypin patjetër me humbë shtetësisë. E një ndër to ka filluar edhe shteti i Norvegjisë. Deri në këtë vit Norvegjia nuk ka pas kërkesa shumë, por tash ka filluar edhe Norvegjia”, ka deklaruar Adelina Kajtazi, zyrtare për shtetësi në Komunën e Pejës.

Numri aktual bashkatdhetarëve tanë në mërgatë që po heqin dorë nga shtetësia e Kosovës, për shoqërinë civile në Pejë nuk është aq i frikshëm sa do të jetë vitet e ardhshme.

Sipas shoqërisë civile në Pejë, kjo ndërlidhet me migrimin gjithnjë e më të madh të qytetarëve të Pejës, që po ndodh vitet e fundit, të cilët më vonë pritet po ashtu të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës.

Edhe Në 11 vjetët e fundit rreth 3300 pejanë kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës Arbëri Në 11 vjetët e fundit rreth 3300 pejanë kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës

“Fatkeqësisht është në rritje dhe ka me shku në rritje besoj në vitet tjera, sidomos për pjesën e qytetarëve të cilët tash janë duke migruar jashtë me profesione të ndryshme”, ka theksuar Qenan Bardhaj nga OJQ “Syri i Vizionit”.

Prej vitit 2009, kur ka filluar aplikimi për lirim nga shtetësia, sipas të dhënave në ofiqari, nga shtetësia kanë hequr dorë së paku 3 mijë e 500 mërgimtarë nga Peja.

Por ky numër nuk është real, nisur nga fakti se për t’u liruar nga shtetësia e Kosovës mërgimtarët aplikojnë edhe në Ambasadat e Kosovës dhe ato të dhëna Ofiqaria e Pejës nuk i posedon.