Të premten pritet që të votohet transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri.
Pakoja e ligjeve që i jep mandatin mbrojtës FSK-së nesër pritet të votohet në lexim të dytë, në një ditë, që po cilësohet historike për Kosovën.
Kështu e ka quajtur edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett. Në një postim në Twitter, ai ka shkruar se SHBA-ja do të përkrahë zhvillimin profesional dhe transformimin organizativ të FSK-së, transmeton Koha.net.
“Duhet të ketë rol pozitiv për Kosovën dhe rajonin, duke reflektuar karakterin multi-etnik të vendit, gjithashtu edhe dedikimin e kosovarëve për paqe”, ka shkruar Kosnett në Twitter.
“Seanca e nesërme e Kuvnedit dhe ceremonia e FSK-së, duhet të jenë ngjarje për reflektim dhe ridedikim për paqe, stabilitet dhe prosperitet për Kosovën dhe fqinjët e saj. Tani është koha për të gjithë liderët dhe palët që të fokusojnë energjinë në dialog”, ka shkruar ambasadori amerikan në Kosovë.
Transformimi i FSK-së në Ushtri ka nxitur reagim edhe nga NATO. Edhe pse Amerika e cilësoi si hap pozitiv, NATO deklaroi javën e shkuar se “ky proces po ndodh në kohë jo të duhur”.
Ndërkaq, komandant i Forcave të NATO-s më seli në Napoli, admirali amerikan, James Foggo, tha dje në Shkup se “transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, është një vendim sovran, që duhet ta marrin deputetët e Kosovës”.
Transformimi i FSK-së në Ushtri ka nxitur reagime të ashpra në Beograd. Sot presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se qëllimi i Kosovës për të formuar Ushtrinë nuk është në përputhje me të drejtën, as me Rezolutën 1244 dhe ka shtuar se është detyrë e KFOR-it ta çarmatosë atë. Ditë më parë, kryeministrja serbe Ana Bërnabiq kërcënoi me përdorim të ushtrisë së Serbisë kundër formimit të asaj të Kosovës.
Forca e Sigurisë së Kosovës e cila do të vazhdojë më emrin e njëjtë, pritet të ketë 5 mijë trupa aktiv dhe 3 mijë rezervë të armatosur lehtë.
Autoritetet në Kosovë pohojnë se krijimi i ushtrisë do të jetë një proces që do të zgjasë 10 vjet dhe nuk do të zëvendësojë forcat e NATO-s që vazhdojnë të kenë rreth mijë trupa, disa qindra prej të cilëve janë amerikanë.