Arbëri

O’Connell: Formimi i ushtrisë, e drejtë e Kosovës

Ruairi O'Connell, Ambasadori britanik në Prishtinë, është deklaruar në lidhje me ushtrinë e Kosovës.

Në një bisedim online me qytetarët e Kosovës, O’Connell ka thënë se Mbretëria e Bashkuar është pro krijimit të forcës së armatosur.

“Mbretëria e Bashkuar beson se është e drejtë e Kosovës të krijojë forcat e saj të armatosura. Ne vazhdojmë të inkurajojmë Kosovën të sillet me përgjegjësi dhe me transparencë, dhe në konsultim me aleatët e NATO, dhe të respektojë angazhimin e saj ndaj KFOR-it, përfshirë edhe shkëmbimin e letrave të viti 2012-2013”, ka thënë O’Connell kur është pyetur nga një qytetar i Kosovës rreth mbështetjes që Britania mund t’i japë ose jo Ushtrisë së Kosovës, raporton Koha.net.

Tutje, O’Connell është pyetur edhe në lidhje me mbështetjen që mund t’i japë Britania ushtrisë së Kosovës, specifikisht në mjete ushtarake.

“Mbretëria e Bashkuar ka përkrahur Forcën e Armatosur të Kosovës dhe Trupat Mbrojtëse të Kosovës ndër vite. Ne kemi pasur fokus të veçantë në trajnimin e oficerëve dhe nën-oficerëve, të cilët do të jenë bërthama e kësaj force në të ardhmen”, u shpreh diplomati britanik.

Ai tha se Britania ka punuar edhe në një sërë fushash tjera, të cilat mendon se janë me rëndësi jetike në zhvillimin e Kosovës, si sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, kundër nepotizmit, zhvillimi ekonomik, kultura demokratike, dhe me çështjet e trashëguara nga e kaluara, e shumë e shumë çështje tjera.

“Dhe sinqerisht ne e vlerësojmë bashkëpunimin tonë me FSK-së, por është shume interesante për mua pyetja juaj se a po ju japim pajisje ushtarake. A po mendoni me të vërtetë që kjo është gjeja më e rëndësishme për të cilën Kosova ka nevojë tani?”, theksoi ai.

Tutje, në diskutimin me qytetarë në Facebook, O’Connell është sfiduar edhe me pyetjen rreth korrupsionit dhe mungesës së luftës me veprime konkrete, sikurse dhe me pyetjen se përse shteti i tij nuk përkrah individë të caktuar, si Albin Kurtin e VV-së apo Vjosa Osmanin e LDK-së.

“Nuk besoj që është situata e mirë ose e qëndrueshme kur diplomatët zgjedhin deputetët ose qeveritë. Ne nuk mbështesim dhe nuk do të mbështesim askënd. Kosova është demokraci dhe në demokraci kjo është puna e qytetarëve. Pra, nëse doni ndryshe, ju duhet të angazhoheni në jetën publike dhe të krijoni mbështetje publike për ndryshime”, u shpreh ai.