Rreth 345 mijë nxënës dhe 31 mijë mësues nesër nisin vitin e ri shkollor në Shqipëri. Sipas, Ministrisë së Arsimit atje, ky viti shkollor do të fillojë me risi. Një nga to edhe me masat për ndalimin e përdorimit të telefonit celular.
“Fillim i mbarë, me tekste falas për 236 mijë nxënës, 30 shkolla të reja dhe të rehabilituara 340 laboratorë SMART, kurrikulën e re në klasat e katërta, laboratorë të rinj të shkencave, palestra e terrene të reja sportive. Mësuesit, psikologët, punonjësit socialë, oficerët e sigurisë dhe i gjithë stafi i shkollave tona janë gati të mirëpresin nxënësit në ditën e parë të shkollës”, thuhet në njoftimet në Facebook.
Sa i përket udhëzimit të veçantë për ndalimin e përdorimit të telefonit celular, ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu, shkroi se vendimi nuk synon të përjashtojë teknologjinë, por ta orientojë drejt përdorimit të duhur.
“Telefonat nuk duhet të merren në shkollë. Në rast të nevojës të argumentuar nga prindi, në drejtorinë e shkollës, që fëmijën ta pajisë me telefon, atëherë telefoni fiket, nxënësi e dorëzon sipas rregullit të shkollës në sirtarin apo kutinë e përcaktuar në klasë, nga momenti i nisjes së mësimit deri në përfundim të orarit mësimor. Mësuesi kujdestar dhe drejtoria janë përgjegjës për zbatimin e këtij rregulli. Për raste urgjente, komunikimi me prindin bëhet vetëm me leje ose përmes mësuesit apo drejtorit të shkollës”, thuhet mes tjerash në postimet në Facebook të Ministrisë së Arsimit dhe udhëheqëses së këtij dikasteri Manastirliu.