Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nëse mbahen zgjedhjet, LDK thotë se do të dalë e para

Kanë vazhduar takimet e kryesisë së LDK-së me strukturat e degëve, sot ishte takimi me strukturat e Malishevës.

Të pranishëm prej anëtarëve të kryesisë ishin, Sekretari i Përgjithshëm, Ismet Beqiri, Vlora Dumoshi, Arban Abrashi, Anton Quni, Naser Osmani, Lutfi Zharku dhe deputeti Driton Selmanaj.

Siç njofton LDK, takimin e hapi kryetari i degës së LDK-së në Malishevë, Sami Kafexholli, i cili theksoj përkrahjen e degës së LDK-së në Malishevë për të gjitha qëndrimet e LDK-së.

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri përcjelli fjalën e kryetarit Mustafa për të gjitha çështjet aktuale, dialogun me Serbinë, qëndrimin e LDK-së kundër korrigjimit të kufijve, formimin e Forcave të Armatosura, liberalizimin e vizave dhe çështjet aktuale në vend të cilat tashmë janë të njohura për opinionin.

Ai ka thënë se LDK është e unifikuar dhe në momentin që vendi shkon në zgjedhje, LDK do të dalë e para. Ai ka thënë që përmes këtyre takimeve LDK është më afër elektoratit.

Lutfi Zharku ka thënë që takimet po mbahen për dy qëllime, qëndrimet e LDK-së për çështjet aktuale dhe e dyta për zgjedhjet sepse LDK është duke punuar për ta dërguar vendin në zgjedhje.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Driton Selmanaj ka thënë që dega e Malishevës ka ide dhe opinione të shëndosha të cilat janë vlera të mëdha për LDK-në.

Ndërsa, Fetah Rudi tha se LDK-ja çdoherë ka qenë e fortë, ka tejkaluar sfida shumë të mëdha por që në fund ka dalë e para gjithmonë.

Gjatë takimit dega ka shprehur disa kërkesa për kryesinë e LDK-së, por gjithashtu janë diskutuar edhe mangësi dhe sfida të strukturës së degës në Malishevë që në të ardhmen degën do ta bëjnë më të fortë dhe do ta nxjerrin fituese.

Artikuj të ngjashëm