Komunikimin me ndërmjetësit e dialogut Kosovë-Serbi, Qeveria është duke e zhvilluar nëpërmjet Shteteve të Bashkuara.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar të martën se komunikimi gjatë takimit të djeshëm me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, ka qenë i fundit me të.
“Tash ai po i bën projektet maksimale, pra SHBA-ja e sidomos ambasadori Hovenier, ata janë në kontakt me Brukselin. Që prej se përfundoi takimi i fundit në kuadër të bisedimeve tetorëshe që i kemi pasur dje, unë nuk kam komunikuar me përfaqësuesin për politikë të jashtme dhe sigurisë, Josep Borrell, i cili me keqardhje, e ritheksoi, e braktisi propozimin franko-gjerman, propozimin e Bashkimit Evropian, duke thënë le ta kemi një dakordim për targat”, tha Kurti.
Kreu i Qeverisë ka thënë se korrigjimi i gabimit nga Borrelli është i domosdoshëm.
“Është gabim i madh që të braktiset biseda për korrigjim të marrëdhënieve e liderët të flasin e dakordohen për targa, për të cilat dorën në zemër as unë në Kosovë e as ai në Beograd nuk jemi personat përgjegjës”, tha Kurti.
Por, puna e Borrellit është lavdëruar nga ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, pas takimit që e ka pasur me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
“Jam i bindur se do të gjendet një zgjidhje, sepse njerëz me përvojë si Josep Borrell dhe përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, janë duke punuar për këtë çështje”, tha Hill.
Takimi Kurti-Vuçiq, nën ndërmjetësimin e Borrellit, nuk i dha zgjidhje problemit me targat ilegale.
Pasi për mungesën e marrëveshjes Borrell fajësoi Kosovën, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, kërkoi që Kosova ta shtyjë për 48 orë nisjen e gjobave për ngasësit e automjeteve me targa ilegale. Kurti iu përgjigj pozitivisht pak minuta pas kërkesës.
Në Ambasadën amerikane, e as në BE dhe në Qeverinë e Kosovës nuk i kthyen përgjigje KOHËS për veprimet që do të ndërmerren deri të mërkurën mbrëma, në funksion të një marrëveshjeje.
Shtyrja për dy ditë e ekzekutimit të gjobave është mirëpritur nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
“Mirë që i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian ka më tepër kohë për të punuar me palët e interesuara për gjetjen e zgjidhjes. E përsëris: Është absurde të rrezikohet përshkallëzimi për targat”, ka shkruar ambasadori gjerman.
Pas zhvillimeve në Bruksel, Vuçiq ka takuar përfaqësuesit e serbëve në Kosovë. Ish-ministri Goran Rakiq, në një konferencë për media, paralajmëroi protesta në të gjitha institucionet. E, për të mërkurën, me fillim nga ora 15, është paralajmëruar organizimi i një tubimi në Mitrovicën e Veriut.