Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ende nuk ka vendosur për takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas paralajmërimit nga Bashkimi Evropian se dy liderët e dy shteteve do të ftohen për takim javën e ardhshme. Nga Forumi i Prespës, Kurti ka deklaruar se do t’i përgjigjet me kohë shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, kur ta marrë ftesën.
“Nuk kam vendosur ende, por do t’i përgjigjem në kohë të duhur zotit Borrell, sepse ai nuk ka thirrur për takim këtë mbrëmje. Është javën e ardhshme”, ka deklaruar Kurti, raporton Associated Press.
Në këtë forum, Kurti ka bërë thirrje që bota ta dënojë agresionin e Serbisë, pasi kidnapoi tre policë të Kosovës brenda territorit të vendit. Ai po ashtu ka kritikuar KFOR-in për mospozicionim në rastin e incidentit.