Qeveria e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje të enjten në vlerë prej 100 milionë eurosh për zbatimin e projekteve për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbetjeve të ngurta me KfW-në dhe BE-në.
Sipas njoftimit për media, të dy projektet do të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit sipas standardeve mjedisore të BE-së, me qëllim të zgjidhjes së problemit të menaxhimit të mbeturinave të ngurta dhe ujërave të zeza me të cilat ballafaqohet Kosova.
Njoftohet se projekti i trajtimit të ujërave të zeza në rajonin e Prishtinës do të përfshijë ndërtimin e linjave të ujërave të zeza, si dhe rehabilitimin e rrjeteve të ujërave të zeza dhe sistemit të ndarjes së ujërave të stuhive.
“Projekti në fjalë do të plotësojë ndërtimin e Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Zeza që është financuar nga Qeveria Franceze, me ç’rast paraqesin investimin më të madh që është bërë në sektorin e ujërave të zeza në Kosovë. Për realizimin e këtij projekti, Qeveria Gjermane përmes KfW-së do të sigurojë në total 42 milionë euro, ndërsa BE-ja do të sigurojë rreth 20 milionë euro. Komuna e Prishtinës dhe ajo e Fushë Kosovës do të kontribuojnë me 9 dhe 2 milionë euro respektivisht”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se projekti për menaxhimin e mbeturinave të ngurta do të zbatohet në komunat e Prishtinës, Prizrenit, Gjilanit, Ferizajt, Podujevës dhe Pejës dhe do të përfshijë ndërtimin, zgjerimin dhe rehabilitimin e deponive dhe stacioneve të transferimit të mbeturinave të ngurta.
Për këtë projekt, Qeveria Gjermane do të sigurojë 20 milionë euro, ndërsa BE-ja 23 milionë euro përmes fondeve IPA. Qeveria e Kosovës do të kontribuojë me 8 milionë euro dhe komuna e Pejës me 3 milionë, duke e bërë kontributin e përgjithshëm kombëtar 11 milionë euro.
-
Nënshkruhet marrëveshja 5 mln euroshe për ndërtimin e impiantit modern për trajtim të ujërave të zeza
-
Nënshkruhet marrëveshja në vlerë mbi 13 milionë euro për trajtimin e ujërave të zeza në Prishtinë
-
Nënshkruhet marrëveshja 20 milionë euroshe për ujërat e zeza në Ferizaj
-
Ndahen edhe 13.2 milionë euro për trajtimin e ujërave të zeza në Prishtinë
-
BE-ja dhe Gjermania mbështesin Kosovën me 49 milionë euro për menaxhimin e mbeturinave