Arbëri

Nënkryetari i paligjshëm i Fushë-Kosovës

Të paligjshëm e ka konsideruar Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal vendimin e Kuvendit të Fushë-Kosovës për emërimin e nënkryetarit nga radhët e komuniteteve. Sipas Ministrisë, kjo pozitë i takon komunitetit ashkali dhe jo atij egjiptian, siç ka vepruar Kuvendi Komunal. Deri tash, Komuna e ka shpërfillur kërkesën e MAPL-së që zgjedhja të bëhet në pajtim me kërkesën ligjore

Komuna e Fushë-Kosovës e ka shpërfillur një vendim të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) rreth emërimit të nënkryetarit të Komunës nga radhët e komuniteteve. Kuvendi Komunal në fund të muajit janar e ka emëruar në këtë pozitë Suhat Ademin, që i takon komunitetit egjiptian. Por, MAPL-ja e ka vlerësuar të kundërligjshëm këtë vendim pasi, sipas këtij institucioni, kjo pozitë i takon komunitetit që ka më së shumti banorë në komunë, pas shqiptarëve. E, komuniteti ashkali është i dyti.

Këshilltari komunal nga “Lista Ndryshe” e ashkalinjve, Artan Asllani, ka thënë se mbi 13 për qind të popullsisë në Komunën e Fushë-Kosovës e përbëjnë komunitetet, kurse mbi 10 për qind janë ashkalinj.

“Fushë-Kosova ka përbërje mbi 13 për qind të komuniteteve romë, ashkali, egjiptianë, ku në bazë të regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, komuniteti ashkali është mbi 10 për qind ose 3.280 ashkali në Komunën e Fushë-Kosovës. Janë 280 egjiptianë edhe 400 romë. Realisht vendimi është marrë jashtëligjshëm nga Kuvendi Komunal i Komunës së Fushë-Kosovë”, ka thënë Asllani. “Unë problemin e kam ngre në nivel lokal në Asamble Komunale”.

Sipas tij, Udhëzimi Administrativ i vitit 2014 dhe Udhëzimi Administrativ i 2020-s e përcaktojnë se komuniteti, i cili është shumicë në komunë, e merr nënkryetarin për komunitete.

“Pra, nuk ka bazë vote, nuk ka bazë cila parti del me vota më shumë. Edhe nëse në Komunën e Fushë-Kosovës asnjë asamblist nuk do të ishte i komunitetit ashkali, do të ishin të përfaqësuar prej komuniteteve të tjera, prapëseprapë nënkryetari për komunitete do të duhej të emërohej nga komuniteti ashkali, në bazë të ligjit, në bazë të udhëzimit administrativ”, ka thënë këshilltari i “Listës Ndryshe”. “Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka konstatuar se ky vendim nuk është legjitim, është në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ”, ka theksuar Asllani.

Ai e akuzon nënkryetarin Suhat Ademi se ka bërë edhe vepër penale kur e ka dorëzuar në Ministri një deklaratë se i takon komunitetit ashkali.

Se e ka bërë një deklaratë të tillë, e ka pranuar edhe vetë Suhat Ademi, por ka thënë se sikur ashkali sikur egjiptian janë njësoj. Ai ka thënë të mos i kujtohet se çfarë kombësie e ka shkruar kur është regjistruar. Megjithatë, Ademi thotë se posti i nënkryetarit për komunitete i takon atij.

“Me ligj më takon mua edhe jam votuar në Kuvend Komunal prej shumicës, edhe prej 2/3 prej pakicës. Kështu që me ligj më takon. Ligji bie ndesh me udhëzimin administrativ. Po, ligji është ligj. Ligji është mbi të gjitha”, ka thënë Suhat Ademi. “Po, është e vërtetë që e kam bërë një deklaratë, po ne si komunitet, si egjiptianë dhe ashkalinj jemi një komunitet. Kemi garuar si iniciativë për Fushë-Kosovën egjiptianë e ashkalinj të përbashkët, me një listë kemi qenë, edhe ne jemi një komunitet, jemi të ndarë politikisht, nuk e di pse e qysh. Por, ne jemi një popull edhe unë i takoj edhe atij populli”.

Ai e ka quajtur ndërhyrje politike vendimin e MAPL-së, e cila e ka vlerësuar të kundërligjshëm emërimin e tij si nënkryetar nga radhët e komuniteteve.

Ndërkaq zëdhënësi i Komunës së Fushë-Kosovës, Ali Topalli, ka thënë të mos e dijë pozicionin e Suhat Ademit.

“Nuk e di as për pozicionin e tij dhe nuk e di as që ka ardhur ndonjë shkresë nga ministritë përkatëse. Nuk kam informacion”, ka thënë shkurt ai.

Më 22 shkurt të këtij viti, shkresa e MAPL-së i është dorëzuar kryetarit të Komunës, Burim Berisha, dhe kryesuesit të Kuvendit Komunal, Ali Ismaili. Në të thuhet se pozita e nënkryetarit të Komunës nga radhët e komuniteteve i takon komunitetit ashkali dhe jo atij egjiptian.

“Ministria e Pushtetit Lokal pas shqyrtimit të përmbajtjes së aktit të komunës (vendimit për emërimin e Suhat Ademit në pozitën e nënkryetarit të Komunës për komunitete), vlerëson se akti i komunës është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi”, thuhet në shkresën e MAPL-së. “Vendimi për emërimin e z. Suhat Ademi në pozitën e nënkryetarit të Komunës për komunitete nuk është në pajtim me nenin 8, pika 3 e Udhëzimit Administrativ (MAPL) 02/2020 për procedurat e emërimit të nënkryetarëve në komuna, ku parashihet se: ‘Nënkryetari i komunës për komunitete emërohet nga radhët e komunitetit joshumicë, i cili për nga numri përbën komunitetin joshumicë më të madh në komuna’”.

Në këtë shkresë theksohet se Suhat Ademi ka qenë pjesë e listës zgjedhore të Partisë Liberale Egjiptiane (PLE).

“MAPL-ja kërkon nga Kuvendi i Komunës së Fushë-Kosovës që në pajtim me Udhëtimin Administrativ, nënkryetari i Komunës të emërohet nga radhët e komunitetit joshumicë, i cili për nga numri përbën komunitetin joshumicë më të madh në komunë, në rastin konkret nga komuniteti ashkali. Bazuar në të cekurat më lart, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kërkon nga Kuvendi i Komunës/kryetari i Komunës që të ndërmarrin veprime konkrete që aktin e komunës ta harmonizojnë me dispozitat ligjore në fuqi brenda 30 ditësh nga data e pranimit të kërkesës për rishqyrtim të aktit”, theksohet në këtë shkresë.

Por, deri tash Komuna e Fushë-Kosovës e ka shpërfillur këtë kërkesë të MAPL-së. E, në këtë ministri prej dy ditësh nuk kanë kthyer përgjigje në lidhje me këtë rast.

Vendimi për emërimin e nënkryetarit të komunës nga radhët e komuniteteve është marrë më 31 janar dhe është parashtruar për shqyrtim të ligjshmërisë më 8 shkurt, ndërkaq më 18, respektivisht më 22 shkurt i është dorëzuar Komunës së Fushë-Kosovës shkresa që tregon paligjshmërinë e vendimit.