Arbëri

Ministri Krasniqi akuzohet për shkelje ligjore në rastin e nënkryetarit për komunitete në Fushë-Kosovë

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, është akuzuar nga përfaqësues të Partisë Liberale Egjiptiane për shkelje ligjore e inate politike, në kontestin ligjor ndaj emërimit të nënkryetarit për komunitete në Komunën e Fushë-Kosovës. Në këtë kontest, Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Ministrisë për rishikimin e ligjshmërisë së vendimit të marrë në fillimshkurtin e vitit të shkuar nga Kuvendi Komunal

Përfaqësues të Partisë Liberale Egjiptiane e akuzuan Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për shkelje ligjore dhe kushtetuese, duke pretenduar se me padinë kundër Komunës së Fushë-Kosovës e ka bllokuar punën e nënkryetarit për komunitete, Suhat Ademi, për 14 muaj.

Në kontestin ligjor midis Komunës dhe Ministrisë për çështjen, Gjykata Themelore në Prishtinë në prill e ka hedhur poshtë si të pabazuar kërkesën e MAPL-së për anulimin e vendimit të Kuvendit Komunal për emërimin e Ademit

Pas aktvendimit, kryetari i partisë liberale egjiptiane, Veton Berisha, e akuzoi ministrin Elbert Krasniqi, njëherësh kryetar i partisë egjiptiane IRDK, se kundërshtimin për përzgjedhjen e bëri për inate partiake.

“Pas 14 muajsh lufte dhe neglizhencë dhe veprime të kundërligjshme dhe kundërkushtetuese të ministrit Elbert Krasniqi, kemi arritur të sigurojmë aktvendimin i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse nga sot e tutje na jep të drejtën ta ushtrojmë pozitën e nënkryetarit në Komunën e Fushë-Kosovës”, ka theksuar Berisha.

Ministri Krasniqi është kontaktuar nga KOHA për një qëndrim rreth akuzave të drejtuara ndaj tij, porse nuk ka qenë i qasshëm, ndërsa zëdhënësi i Ministrisë ka thënë se gjatë ditës nuk mund të japin përgjigje.

E Ademi ka thënë se me pamundësimin e ushtrimit të detyrës së tij janë dëmtuar komunitetet që do të duhej t’i përfaqësonte.

“Në këtë rast, ministri nuk më ka dëmtuar vetëm mua, por të gjitha komunitetet. Kanë kaluar 2 vjet të mandatit dhe ne nuk kemi mundur të bëjmë asgjë”, ka deklaruar Ademi.

Ligji për Vetëqeverisjen Lokale parasheh që në komunat me të paktën 10 për qind të qytetarëve nga radhët e komuniteteve joshumicë të ketë edhe nënkryetarë për komunitete, dhe që ata të zgjidhen bazuar në votën e shumicës së anëtarëve të Kuvendit Komunal.

Ndërkaq udhëzimi administrativ 02\2020, të cilin Ministria e përdori si referencë në padi, thotë se nënkryetari për komunitete duhet t’i përkasë komunitetit më të madh joshumicë, të cilin në Fushë-Kosovë e përbëjnë ashkalinjtë.