Arbëri

MAPL-ja e padit Kuvendin Komunal të Fushë-Kosovës

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e ka paditur Kuvendin Komunal të Fushë-Kosovës për shkak të mosevitimit të shkeljeve ligjore në vendimin për emërimin e nënkryetarit për komunitete. Ky hap i MAPL-së është marrë pas kalimit të afatit prej 30 ditësh që Kuvendi Komunal i ka pasur në dispozicion për t’i evituar shkeljet. Kryesuesi i Kuvendit ka thënë se në seancën e muajit mars e ka vënë si pikë të rendit të ditës këtë çështje, por përpjekja e tij kishte dështuar në mungesë të votave

Vendimi për emërimin e nënkryetarit për komunitete të Fushë-Kosovës e ka çuar në gjykatë Kuvendin e kësaj komune. Këtë hap e ka marrë Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, pasi Kuvendi ka dështuar që në afat prej 30 ditësh t’i evitojë shkeljet ligjore të vendimit për emërimin e Suhat Ademit në pozitën e nënkryetarit për komunitete. Ademi i takon komunitetit egjiptian, që është i treti për nga numri i banorëve nga komunitetet joshumicë. Sipas Ministrisë, nënkryetari i takon komunitetit joshumicë që ka numrin më të madh të banorëve në komunë, që në këtë rast është komuniteti ashkali.

“Po është e vërtetë që ne e kemi marrë një vendim sa i përket pozitës së nënkryetarit dhe pas vlerësimit të ligjshmërisë së këtij vendimi nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal na është kthyer që nuk është legjitim. Ne vendimin e kemi marrë në emër të Ligjit për vetëqeverisje lokale dhe aty është një problem, sepse Ligji dhe Udhëzimi Administrativ bien në kundërshtim mes vete”, ka thënë Ali Isamili. “Në bazë të rekomandimit të Ministrisë së Pushtetit Lokal e kam vërë në Kuvend vendimin për të cilin po flasim në këtë rast të nënkryetarit të Komunës për me shfuqizua. Mirëpo, vendimi për shfuqizim nuk i ka marrë votat e mjaftueshme me u shfuqizua. Ministria na ka informuar se ka marrë procedura ligjore, në kuptimin e asaj që e ka proceduar lëndën te Ministria e Drejtësisë dhe te avokati i shtetit që me vazhdua më tutje si lëndë në gjykatë”.

i Kuvendit, Ali Ismaili, ka thënë se ai e ka kryer punën duke e vënë si pikë të rendit të ditës shfuqizimin e këtij vendimi, por që në mungesë të votave kjo përpjekje kishte dështuar.

“Për këtë arsye unë mendoj se si kryesues e kam kryer detyrën time dhe ata na kanë informuar se nuk e kanë dërguar kryesuesin në procedura ligjore, por komplet Kuvendin Komunal të Fushë-Kosovës”, ka thënë ai.

KOHA që nga dita e enjte u ka dërguar pyetje MAPL-së dhe Gjykatës Themelore të Prishtinës lidhur me këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigje.

Gjatë ditës së premte i gatshëm për t’u prononcuar nuk ka qenë as Suhat Ademi, që ishte emëruar në pozitën e nënkryetarit.

Në anën tjetër, këshilltari komunal i Listës Ndryshe nga komuniteti ashkali, Artan Asllani, i cili edhe e kishte kontestuar vendimin e Kuvendit, është i bindur që gjykata do të marrë vendim në favor të tyre përkitazi me nënkryetarin për komunitete.

“Prej ditës së parë edhe deri në ditën e fundit unë asnjëherë nuk e kam menduar që gjykata ka me vendos diçka në favor të komunitetit egjiptian, duke u bazuar edhe në përvojat e mëhershme, edhe duke u bazuar në statistikat, popullsinë, ligjin, udhëzimin administrativ, gjykata do të vendosë në favor të komunitetit ashkali”, është shprehur Artan Asllani.

Kryesuesi i Kuvendit, Ali Ismaili, ka thënë se ekzekutivi e ka pezulluar pozitën e nënkryetarit për komunitete dhe se Suhat Ademi tash për tash është hequr nga lista e pagave. Ismaili ka theksuar se do ta respektojnë vendimin e Gjykatës çfarëdo qoftë ai për nënkryetarin për komunitete të Komunës së Fushë-Kosovës.