Pavarësisht kontrollit në pikat kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjakë, kontrabanda me mallra dhe derivate po vazhdon në këtë pjesë të Kosovës. Veturat dhe kamionët pa tabela të cilët kontrabandojnë mallra nga Serbia duke i ikur tatimit të shtetit, lëvizin lirshëm në veriun e Mitrovicës.
Televizioni publik ishte dëshmitar kur policia ndaloi një kamion me mallra të kontrabanduara, e që i njëjti në bazë të informacioneve të emisionit ishte liruar pas pak orësh.
Por, a janë me të vërtetë grupet kriminale aq të fuqishme në një zonë aq të vogël sa shteti nuk mund t’i neutralizojë?
Kjo pyetje sigurisht që do të mbetet pa përgjigje edhe shumë kohë!
Burimet thonë se krimin dhe kontrabandën në Mitrovicën e Veriut e udhëheqin njerëz të fuqishëm dhe me ndikim politik. Emrat e tyre tashmë janë fshehtësi publike.
Gjithçka çfarë ndodhë në këtë pjesë ka një adresë, kjo adresë është Zvonko Veselinoviq. Ky i fundit në bazë të informacioneve që posedon televizioni publik kontrollon bizneset e zeza që zhvillohen në këtë pjesë të Kosovës. Krah i djathtë i Zvonkos, sipas informacioneve, është miku i tij Millan Rajdoçiq.
“Çdo segment i jetës kontrollohet nga Zvonko Vesilnoviq dhe grupet kriminale që ai i udhëheq që nga shitja e cigareve, veturave armatimit derivateve të naftës artikujve ushqimorë, d.m.th. asnjë gjë nuk mund të kalojë nëse nuk kontrollohet nga duart e tij për ta deleguar të tjetër kush normalisht që një pjesë e fitimit shkon edhe tek ai”, thotë Agim Musliu.
Ajo që iu sjellë më së shumti fitim në këto biznese ilegale është kontrabandimi i derivateve. Në pjesën veriore të Mitrovicës, në bazë të informacioneve tona, janë 37 pompa apo pika karburanti që operojnë ilegalisht.
Në mesin e këtyre 37 pompave ilegale janë edhe tri të kompanisë “NIS Petrol”. “Nafta industria Serbija”, dikur “Jugo Petrol”, është kompania më e madhe e derivateve në Serbi. Në bazë të informacioneve që gjenden në webfaqen e kësaj kompanie, thuhet se pas një krize financiare, shteti serb në vitin 2008, 56 për qind ia kishte shitur kompanisë ruse, “Gazprom Neft”.
Në udhëzuesin e “NIS Petrolit” shihen pikat se në cilat vende operon kjo kompani. Përfaqësuesit e kompanisë kanë qenë të kujdesshëm duke mos i identifikuar tri pikat të cilat gjendën brenda territorit të Republikës së Kosovës.
Operimi i kompanisë “Nis Petrol” në veri të Kosovës përbën shkelje të embargos së Kosovës.
Me 17 shtator të vitit 2014, Qeveria e Kosovës kishte vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse. Madje në vendimin e Qeverisë së Kosovës ishin listuar një numër i kompanive dhe personave të cilëve në mënyrë specifike u është ndaluar biznesi në Kosovë. Në mesin e kompanive ndaj të cilave ishin vendosur sanksionet është edhe kompania “Gazprom Neft”.
Por çuditërisht kjo kompani tashmë është prezente në territorin e Republikës së Kosovës.
Ekipi i emisionit “Udhëve” ka vizituar tri pikat, dy prej të cilave gjenden në Mitrovicën e Veriut ndërsa një në komunën e Zubin Potokut.
Burimi, që ka dashur të mbetët anonim, ka deklaruar se Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radojçiq jozyrtarisht i menaxhojnë pompat e “Nis Petrolit” .
Para dy viteve, pak metra larg stacionit të Policisë së Kosovës në veri, drejtori i zyrës së Kosovës, Marko Gjuriq kishte sfiduar shtetin e Kosovës duke hyrë pa leje për të inauguruar këto pompa të jashtëligjshme në territorin e Kosovës.
Madje për këtë çështje ishte alarmuar edhe Brukseli. Edita Tahiri ishte e para që kishte ngritur zërin kundër këtyre pompave ilegale .
“Është e vërtetë se unë kam alarmuar për këto pompa të ‘NIS Petrolit’, të cilat, sipas informacioneve që kam pasur, në një mënyrë janë pompa të cilat shesin karburante të Rusisë. Ky është problem jo vetëm i ndërhyrjes ilegale të Serbisë por është problem më i madh se kaq sepse të gjithë jemi dëshmitarë të ambicieve gjeopolitike të Rusisë në Ballkan dhe qëndrimet e shteteve të Ballkanit përfshirë edhe Kosovën që të mbajmë orientimin perëndimor euroatlantik dhe të mos lejojmë çfarëdo ndërhyrje të ndikimit të Rusisë në këtë rajon”, ka thënë Tahiri.
Ish-përfaqësuesja e dialogut Prishtinë-Beograd, Edita Tahiri thotë se edhe në kohën sa ka qenë pjesë e bisedimeve është diskutuar që të mbyllen, por ndryshimi i qeverive ka bërë që ky vendim mos të zbatohet.
“Atëherë unë kam njoftuar edhe zyrtarisht MTI-në”, ka thënë Tahiri, ndërsa ka theksuar se “MTI-ja menjëherë ka marrë masa, në kuptimin ka dërguar një ekip për të vëzhguar situatën, pra për ta vërtetuar gjendjen si dhe në atë kohë Ministria ka shtruar kërkesën në Qeveri që të bëhet edhe ndalja e punës qoftë edhe nëpërmjet të përdorimit të mekanizmave të forcës e zbatimit të ligjit, mirëpo ndodhi ndryshimi i qeverisë. Duhet të flisni me ministrin për të parë pse nuk është ndalur puna, mirëpo fjala ime e fundit është se duhet të mbyllen këto pompa, jo shkaku i Serbisë por shkaku i ndikimit të Rusisë në Kosovë”, është shprehur ajo.
Se ka pompa që veprojnë ilegalisht dhe pa licencë në territorin e Republikës së Kosovës e pranon edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani.
“Janë 37 pika që mendohet se janë pa licenca e që thuhet se operojnë në pjesën veriore të Mitrovicës. Sipas të dhënave që i kemi nga inspektorati, tri prej tyre që po i thoni konkretisht për firmën ‘NIS Petrol’, janë rast i ngjashëm sikurse këto 37 të tjera. Ne përveç kësaj kemi informatën zyrtare që shumica prej këtyre pikave të karburanteve furnizohen nga pjesa tjetër e Kosovës, mirëpo pas zgjidhjes së këtij problemi sa i përket licencës, ne mund të marrim masa që kompanitë tona mos t’i shesin derivate kompanive që nuk posedojnë licencë”, ka thënë Hasani.
Ministri Hasani megjithatë heziton të deklarojë se kompania “NIS Petrol” vepron ilegalisht në Kosovë, pa kurrfarë licence.
“Konkretisht nuk mund të flasim për secilën ose për ‘Nis Petrolin’. Këto mund të jenë të regjistruara si biznese por nuk kanë licencë përkatëse, konkretisht kjo si firmë po themi ndoshta nuk është e regjistruar fare”, tha ministri, ndërsa potencoi se “nuk kemi konkretisht informacione për ‘Nis Petrolin’”.