Sindikata e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së ka njoftuar se në mbledhjen e mbajtur të hënën unanimisht ka vendosur që t’i japë edhe një mundësi dialogut social në vend të masave dhe veprimeve sindikale, në këtë rast përmes Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës t’i drejtohet Komitetit Ekzekutiv për Shëndetësi dhe Bordit të SHSKUK-së për mbështetje në kërkesën për anulimin e urdhëresave që sipas tyre janë të jashtëligjshëm, diskriminuese, duke theksuar që gjithashtu kanë elemente të përdorimit të standardeve të dyfishta në raport me komunitetet e tyre nga SHSKUK-ja.
“Sigurojmë opinionin e gjerë dhe anëtarësinë që e mbështesim plotësisht reformën dhe secilën përpjekje të menaxhmentit të SHSKUK / QKUK-së për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, mirëpo konsiderojmë që këto urdhëresa nuk kanë ndonjë efekt pozitiv në arritjen e këtij objektivi, ndërsa të njëjtat vetëm se e rrisin edhe më tej mbingarkesën me punë për infermierët si dhe duke e zhvendosur fokusin e infermierëve nga kujdesi dhe zhvillimi i veprimtarisë infermierore në fushën administrative”, thuhet në komunikatë.
Sindikata ka thënë se partnerët socialë brenda secilës ndërmarrje duhet që të gjejnë mënyra dhe konsensus në të mirën e përgjithshme.
Sipas sindikatës, secila palë është për shërbim, e jo për sundim dhe ndarje të privilegjeve, pasi sipas tyre, privilegj duhet të ketë vetëm pacienti i cili kërkon shërbime në institucionet që ata punojnë.
“Shoqata Sindikale e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së mbetet e përkushtuar në krijimin, ruajtjen dhe avancimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit, mbështetjen e reformave dhe iniciativave për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve duke e ofruar mbështetjen e plotë”, thuhet në njoftim.
-
Sindikata e Punëtorëve Shëndetësorë në QKUK do të propozojë grevë deri në anulim të urdhëresave
-
Vendimi i SHSKUK-së, mbledhjet e Bordit me dyer të mbyllura
-
SHSKUK-ja: Ministria e Shëndetësisë thotë që mbledhjet e Bordit të jenë të mbyllura
-
Tetë sindikata kërkojnë nga partitë reformë të thellë të legjislacionit të punës dhe dialogut social
-
“Ndërtoni dialogun social”, punëtorët shëndetësorë protestojnë para Ministrisë