Çështjet gjyqësore dhe zhvillimet politike në vend, tash e 17 vjet e stagnuan projektin e Qendrës Protokollare në Gërmi.
U nis nga kryetari i Kuvendit në atë kohë Nexhat Daci si një qendër për pritjen e delegacioneve ndërkombëtare, ndërsa më vonë u mendua të jetë hapësirë e Ministrisë së Inovacionit.
Aktualisht ka mbetur në pritje të zbatimit të vendimeve.
Qëndrim Arifi, zyrtar nga Organizata Iniciativa për Progres (INPO), ka thënë se Qendra Protokollare në Gërmi paraqet rrezik për qytetarët tashmë si vend i përdoruesve të drogave.
“Ndërtimi i saj nuk është në një zonë normale, është në qendër të parkut të Gërmisë e që është e mbrojtur me legjislacionin që është në fuqi, pra që është ndërtuar, është bërë një ndërhyrje në këtë qendër të mbrojtur, edhe nëse do shkonte më se miri ky projekt do të ishte një lloj degradimi i asaj pjese. Pra, si është çështja? Aty është shndërruar në një vend ku frekuentohet nga narkomanët, pra është shndërruar në një pjesë të rrezikshme për vizitorët e asaj pjese. Është një projekt, është një shembull tipik i papërgjegjësisë ligjore të organeve përgjegjëse për keqpërdorimin e parave publike. Aty janë investuar me qindra mijëra euro dhe nuk është funksionalizuar dhe askush nuk ka dhënë përgjegjësi për këtë. Është shembull i papërgjegjësisë si shumë projekte të tjera. Përveç kësaj, ky projekt është shndërruar në një rrezik për qytetarët e Prishtinës dhe për të gjithë ata që e frekuentojnë parkun e Gërmisë, dhe kjo është një rrezik permanent”.
Edhe
Objekti i “Qendrës Protokollare” i harruar nga institucionet
Arifaj, mos përfundimin e këtij projekt e cilëson si problem politik për të cilin askush nuk merr përgjegjësi.
“Secila parti e ka ndryshuar destinimin e saj, konkretisht lidhet me vullnet politik por bazën kryesore e ka te përgjegjësia ligjore. Këtu është dashur dikush të japë llogari më së paku për keqpërdorimin e parasë publike. Fillimisht që janë keqpërdorur paratë, dhe nëse tash do të ketë ndryshim në projekt, atëherë ato para do të shkojnë dëm, sepse është degraduar dhe këtu askush nuk ka dhënë përgjegjësi. Mospërfundimi i projektit ka të bëjë me papërgjegjësinë politike, me problemin politik dhe me çështjen buxhetore, dhe kjo varet nga vullneti politik”.
Në Komunën e Prishtinës kanë thënë se kompetencat për këtë çështje i ka Kuvendi i Kosovës.
Në të kaluarën koalicioni “Gërmia 2005”, i përbërë nga disa organizata joqeveritare mjedisore, kishte ngritur padi kundër Kuvendit të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës si iniciator për lëshimin e lejeve për ndërtim në zonën e mbrojtur të Gërmisë.
“Koalicionin ‘Gërmia 2005’ e kishte dërguar rastin në gjykatë me pretendimin se Kuvendi i Kosovës dhe Komuna e Prishtinës, përmes projektit të Qendrës Protokollare Administrative, përveç dëmtimit të peizazhit kanë bërë edhe shkeljen e ligjeve mjedisore. Kërkesa e tyre ishte kthimi i lokacionit në gjendjen e para ndërtimit për aq sa është e mundur dhe kryerja e një vlerësimi të pavarur të projektit”.
Edhe
Mungesa e investimeve në Parkun e Gërmisë, qytetarët të pakënaqur
Nga Drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun në Kuvendin e Kosovës kanë thënë se vetëm pasi të zgjidhen çështjet ligjore do të ketë një kah ky projekt.
“Çështja e Projektit Qendra Protokollare Gërmia ka qenë çështje shqyrtimi në procedurë gjyqësore. Me përfundimin e saj, vendimmarrja lidhur me këtë projekt ishte në përgjegjësinë e Kryesisë. Projekt i planifikuar nga Kuvendi. Marrëveshja është lidhur më 15 mars 2005, ndërsa buxheti i planifikuar ka qenë 3.303.665,75 €. Kompania ndërtuese ka qenë “Mega”- Gjilan. Për veprime të mëtejme lidhur me këtë projekt, do të vendosë Kryesia e Kuvendit. Varësisht nga vendimi që do të marrë Kryesia e Kuvendit, do të sigurohet edhe buxheti i nevojshëm. Aktualisht nuk ka buxhet të ndarë”.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë nuk kanë treguar se ku ka arritur procesi gjyqësor i Qendrës Protokollare.
Ylber Vokshi, njohës i trashëgimisë kulturore, ka thënë se Qendrën Protokollare në Germi e ka devijuar politika.
“Pikë së pari ‘Qendra për punë protokollare dhe administrative në Gërmi është ndërtuar pa leje ndërtimi dhe pa kushte urbanistike dhe leje mjedisore të cilën do të duhej ta aprovonte Mistria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, gjë e cila nuk është bërë para fillimit të punimeve. Se një objekt i tillë është i domosdoshëm as që duhet diskutuar, pasi politikëbërësve dhe mysafireve të ndryshëm iu duhet një kompleks i tillë i mbyllur për të zhvilluar aktivitete të ndryshme protokollare, por kurrsesi në lokacionin e cekur në Gërmi. Politikëbërësit e kohës në vitin 2005 filluan ndërtimin e këtij objekti pa respektuar as normat elementare të urbanistikës dhe mbrojtjes se mjedisit, mendonin se civilizimi ka filluar me ata. Stagnimi i objektit është pasojë e zhdukjes së fondeve ( afro 2 milion euro) që i kishte paraparë Kuvendi i Kosovës. Ky projekt aspak nuk e ka vendin në ambientet e Parkut të Gërmisë, pasi në të gjitha format pengon në qendrën e parkut në aspektin rekreativ dhe mjedisor.
Edhe
Shtyhet ekzekutimi i vendimit për “Parkun e Aventurave” në Gërmi
Ndërkaq, Ligji parasheh edhe mbrojtjen e natyrës nga ndërtuesit të cilët planifikojnë të ndërtojnë ndërtesa, e që e dëmtojnë drejtpërdrejt natyrën.