SOT

Mungesa e investimeve në Parkun e Gërmisë, qytetarët të pakënaqur

Parku i Gërmisë në kryeqytet është vend për relaksim për shumë qytetarë. Mirëpo ka vite që tualetet publike dhe investimet në infrastrukturë dhe mirëmbajtje mungojnë. Qytetarët të cilët kohën e lirë e kalojnë në këtë park shprehen të pakënaqur pasi sipas tyre problemi i kahershëm i parkut është kundërmimi nga ujërat e zeza.

Parku i Gërmisë në kryeqytet është vend për freski dhe relaksim për shumë qytetarë të Prishtinës, që kanë mungesë të hapësirave publike të gjelbra nëpër lagjet ku jetojnë.

Megjithatë ka mungesë të investimeve nga qeverisjet e deritanishme. 

Ende nuk është funksional tualeti publik në këtë park.

Në vitin 2024 Komuna kishte ndarë 100 mijë euro për renovimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave ekzistuese sportive në lagjet "Dardania", "Ulpiana", "Qendra", "Bregu i Diellit", "Mati", Gërmi e vende të tjera, mirëpo nuk ka pasur një buxhet të veçantë për investime në këtë park.

Ramadan Mehmeti ka 15 vjet që çdo ditë del për ecje në këtë park. Ai thotë që pjesa e ujitjes së barit duhet të fuqizohet.

“Unë jetoj këtu afër dhe problemin e kemi edhe me kanalizimin këtu më lart që është e i cili mund të rregullohet brenda një dite. Sa i përket mirëmbajtjes është shumë më mirë sesa përpara, këtu ka pasur dru që janë thyer dhe nuk i kanë rregulluar asnjëherë. Staza e ecjes më herët ka qenë në gjendje shumë të keqe tash është më mirë. Këtu ka ujë dhe çdo ditë është dashur që të ujitet parku në mënyrë që të ruhet gjelbërimi. Këto drita që e bëjnë ndriçimin nuk punojnë me ditë të tëra mua po më duket që dikush po e bën me qëllim në mbrëmje nuk mundemi të dalim sepse mund të rrëzohemi nga errësira”, thekson Mehemti.

“Këtu është oksigjeni i Prishtinës, unë e shfrytëzojë shumë parkun sikur të ishte mirëmbajtur më mirë do të kishim pasur mundësi që të kemi më shumë aktivitete këtu. Mundësia ekziston që këtu të bëhet një park shumë i bukur. Këtu kemi edhe probleme me ulëset të cilat nuk janë në gjendje të mirë”, shton Mehmeti.

Xhelal Kusari thotë se i gjithë qyteti është bllokuar dhe se investimet po mungojnë gjithkund.
“Ajo që është më e rëndësishme dhe që nuk është investuar asnjëherë është kanalizimi këtu dhe tanimë ka filluar edhe që të kundërmojë era. Ky është problem i moçëm dhe që nuk po merret askush me të. Këtu pastërtia është në nivel dhe po mirëmbahet deri diku. Këtu duhet të investohet më shumë të merren modelet e qeverisjes së mirë nëpër vende të ndryshme të botës. Qyteti është në bllokadë edhe në qendër siç po ndodh me sheshin ‘Xhorxh Bush’ kështu që urojmë për më mirë”, deklaron Kusari.

Kurse sipas Adem Lutës, këndet e lojërave për fëmijë nuk janë rinovuar asnjëherë.

“Për investime në këtë park ka shumë pak, te lodrat ku janë ka një vit që nuk i kanë riparuar. Hapësira këtu nuk ka tualet nëse dikush ka nevojë për të duhet ta kërkojë çelësin diku ose të kërkojmë leje në ndonjë lokal këtu. Sipas meje këtu ka investime shumë pak, po e shihni gjysma e drurëve ka filluar të thahet. Asgjë nuk është duke punuar hiç. Këta angazhohen vetëm kur kërkojnë votën, pastaj flenë 4 vjetët e ardhshëm e vazhdojnë gjumin deri në fushatat e radhës. Kaq!”, thekson Luta.

Këtë vit edhe pishina e Gërmisë është hapur me vonesë dhe gjatë procesit ka pasur incidente e po ashtu është mbyllur nga IKSHPK-ja, pasi nuk është testuar më herët cilësia e ujit.