Gratë e fshatit Sevcë të komunës së Shtërpcës u mblodhën për të marrë pjesë në hapjen zyrtare të linjës së re të prodhimit të ndërmarrjes së parë sociale me vetëm gra anëtare.
Për shumë prej tyre, kjo është hera e parë që do të kenë mundësi të krijojnë të ardhura për veten dhe familjet e tyre prandaj edhe janë shumë krenare me arritjen e tyre. Hapja solemne e ndërmarrjes sociale "Shoqata e Grave në Sevcë" (NUŽS), u organizua nga komuna e Shtërpcës, Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Të pranishëm në ngjarje ishin edhe Sh.T. Gernot Pfandler - Ambasador i Austrisë në Kosovë, Ulrika Richardson - Koordinatore e OKB-së për Zhvillim dhe Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së në Kosovë, dhe nënkryetari i komunës së Shtërpcës, Ivica Tanasijević. Projekti INTERDEV financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim.
Nën Paktin Territorial të Punësimit 2017-2020 për komunën e Shtërpcës, duke iu përgjigjur potencialeve të zonës për gjenerimin e të ardhurave dhe prodhimin me vlerë të shtuar, projekti INTERDEV i financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim dhe implementuar nga UNDP, ka mbështetur shoqatën për t'u bërë një ndërmarrje sociale dhe të zgjerojë prodhimin duke bashkuar objektivat ekonomike dhe sociale.
Ambasadori Pfandler me këtë rast tha: “Ngjarja e sotme është e rëndësishme si dëshmi e partneritetit të fuqishëm me komunën dhe UNDP-në. Ne i dimë statistikat mbi papunësinë, dhe e dimë se gratë janë më të cenuara. Ja pse ky projekt është kaq i rëndësishëm. Angazhimi i komuniteteve të cenueshme, grave dhe njerëzve që janë në rrezik të mbeten prapa në proceset zhvillimore, është një nga prioritetet e qeverisë austriake dhe Agjencisë për Zhvillim këtu në Kosovë.
E themeluar në vitin 2016, shoqata me 40 anëtare merret me përpunimin e pemëve të ndryshme të kultivuara, si dhe bimëve aromatike dhe çajrave. Ndër produktet e tjera, ata gjithashtu prodhojnë lëngje pemësh, ëmbëlsira, xhem dhe mjaltë.
Gjatë ngjarjes, shoqata hapi një linjë të re të përpunimit të pemëve dhe perimeve të siguruara nga projekti që do t'i ndihmojë të zgjerojnë dhe modernizojnë prodhimin, shitjen e prodhimeve dhe të gjenerojë 40 mundësi punësimi për fshataret dhe të ardhura shumë të nevojshme për komunitetin.
Ulrika Richardson, Koordinatore e OKB-së për Zhvillim dhe Përfaqësuese e Përhershme e UNDP vlerësoi: “Këtë që sot kemi para vetes, kjo ndërmarrje sociale ka një objektiv të veçantë: mundësinë për të krijuar të ardhura dhe të bërit biznes por ka edhe rëndësi sociale. Ne e dimë që kur fuqizojmë gratë, ne fuqizojmë shoqërinë dhe familjet e tyre. Gratë e fuqizuara do të thotë se shoqëria përparon.”
Nënkryetari i komunës së Shtërpcës Ivica Tanasijevic theksoi: “Numri i kufizuar i vendeve të punës në Kosovë, veçanërisht për gratë, na bëri të besojmë në këtë projekt. Do të kënaqeni me prodhimet e përgatitura nga këto gra të fshatit Sevce që punojnë palodhur. Projekti Interdev ka bërë një ndikim historik në fushën e zhvillimit në komunën tonë.”
Në fjalën e saj të rastit, Zorica Vuksanovic, udhëheqësja e Shoqatës u shpreh: “Pikërisht në këtë çast dhe në këtë vend fillon një kapitull i ri për ne. Gratë e Sevces do të kenë më shumë mundësi në të ardhmen. Shumica prej nesh nuk kanë punuar kurrë kështu që ne u jemi falenderuese komunës, ADA-së dhe UNDP që besuan në ne. Ne këtë besim do ta vërtetojmë.”
Që nga viti 2014, projekti INTERDEV, ka mbështetur banorët e komunave të Dragashit, Shtërpcës si dhe të Vitisë gjatë fazës së dytë, për të për të zhvilluar aftësi të reja, për të gjetur punë, rritur prodhimin bujqësor, dhe për të gjeneruar më shumë të ardhura për komunitetet lokale. Duke iu përgjigjur nivelit të lartë të papunësisë dhe pengesave në tregun e punës, projekti në mënyrë aktive promovon fuqizimin e grave, të rinjve dhe personave në rrezik për t’u lënë mënjanë, me mundësi për punësim, zhvillim të aftësive dhe ndërmarrësi rurale.