Numri i nxënësve që kanë zgjedhur shkollat profesionale në Kosovë është në rritje. Vetëm në vitin shkollor 2024/25 janë regjistruar mbi 32 mijë nxënës në këto shkolla, ndërsa në gjimnaze janë regjistruar më pak se 26 mijë. Arsyeja kryesore për këtë trend, sipas nxënësve dhe njohësve të arsimit, është mundësia më e lehtë për t’u punësuar dhe praktika që ofrohet brenda shkollës
Profesionin e automekanikut Rinor Vitia ka disa muaj që ka nisur ta praktikojë.
Këtë vit ai e ka kryer klasën e 10-të në shkollën profesionale “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë, dhe ka arritur që pa problem të punësohet.
Ai thotë se e zgjodhi këtë profesion, pasi mundësia për t’u kyçur lehtësisht në tregun e punës ka ndikuar në këtë zgjedhje.
“Praktika në shkollë na ka ndihmuar shumë. Gjysmën e parë të vitit e kemi mbajtur praktikë në shkollë. Na ka ndihmuar për fillim të praktikës kurse tani teorinë e mbajmë në shkollë e praktikën nëpër servise. Kjo shkollë dhe ky drejtim na ndihmon që më lehtë me u kyçë në vendin e punës edhe në treg të punës”, ka thënë Vitia.
Për arsye të ngjashme, edhe një 16-vjeçar ka zgjedhur drejtimin e Dirigjimit kompjuterik, në të njëjtën shkollë.
“Arsyet e mia kanë qenë që kam deshtë diçka që me u ndërlidhë me dizajn edhe i vetmi drejtim që ndërlidhet me dizajn edhe kompjuterë, ka qenë Dirigjimi kompjuterik dhe për këtë arsye kam hyrë në këtë drejtim. Shkolla na ndihmon me e praktiku dhe mësu këtë drejtim që kur të punësohemi e kemi më të lehtë”, ka thënë ai.
E, Blerim Gërvalla, drejtor i shkollës profesionale “Shtjefën Gjeçovi”, tek ka folur për drejtimet më të kërkuara, ka thënë se interesimi i nxënësve për arsimin profesional është në rritje të vazhdueshme.
“Drejtimet më të preferuara dhe kërkuara janë profili i automekanikëve, profili i instaluesve të ngrohjes, klimatizimit dhe ujësjellësit, profili i dirigjimit kompjuterik, profili i floktarëve ka qenë vjet shumë i kërkuar nga nxënësit. Arsyeja kryesore është shkalla e lartë e punësimit. Ne te automekanikët kemi kërkesa aq të mëdha në tregun e punës saqë edhe me katër paralele në vit nëse i regjistrojmë, të gjithë i absorbon tregu i punës”, ka thënë drejtori Gërvalla.
Se interesimi i nxënësve për shkollat profesionale është rritur dukshëm gjatë pesë vjetëve të fundit, ndërsa ai për gjimnazet ka rënë, e konfirmojnë edhe raportet vjetore të statistikave të arsimit në Kosovë.
Sipas të dhënave për vitin shkollor 2024–2025, të publikuara në qershor nga Ministria e Arsimit, 32.539 nxënës janë regjistruar në shkolla profesionale, ndërsa në gjimnaze vetëm 25.798.
Kjo paraqet një ndryshim të dukshëm krahasuar me vitin shkollor 2020/21, kur në gjimnaze ishin regjistruar 32.884 nxënës.
Këtë ndryshim të trendit e sheh si të natyrshëm njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj, i cili thotë se shkollat profesionale i përgatisin të rinjtë për punë, arsim dhe jetë.
“Shkollat profesionale janë sektori më i nënçmuar i arsimit në Kosovë. Ata janë shumë më mirë sesa që mendon shoqëria, se që kanë mbetur përshtypjet e mëparshme që njerëzit regjistrohen në arsim profesional vetëm se nuk kanë ku të shkojnë, e të tjera. Mendoj që ndodh e kundërta – njerëzit po shkojnë aty ku marrin më së shumti shkathtësi edhe që i futë në tregun e punës më shpejt”, ka thënë Rexhaj.
Komuna e Gjakovës ka numrin më të madh të nxënësve në shkolla profesionale me mbi 2 sosh, krahasuar me 931 të regjistruar në gjimnaze.