Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në Rahovec u protestua për drejtësi në rastin e së ndjerës, Antigona Morina

Gjykatës në Rahovec për një orë i është nxënë dera nga këta protestues këtë të premte.

Gra dhe vajza bashkë me familjarët kanë ardhur këtu para Gjykatës Themelore të Gjakovës dega në Rahovec për të protestuar lidhur me rastin e Antigona Morinës, rast ky për të cilin drejtësia ende nuk ka shkuar në vend.

Nga organet e drejtësisë u kërkua që rasti të kthehet në rigjykim dhe Hilmi Zena, ish-bashkëshorti i Antigona Morinës, ta marrë dënimin e merituar.

Ndërkaq, familjarët e Antigonës thonë se nuk do të ndalen, sepse e konsiderojnë fajtor ish-dhëndrin për vdekjen e vajzës së tyre.

Vëllai i Antigonës, Agroni, kujton fjalët e mjekut të Institutit të Mjekësisë Ligjore, i cili bashkë edhe me ekspertë të tjerë kishin kryer autopsinë e së ndjerës.

Vetëm pas raportimit të KohaVisionit për vdekjen e Antigona Morinës, Gjykata në Rahovec e kishte dërguar ankesën e Prokurorisë në Gjykatë të Apelit.

Edhe Apeli lë në burg 2 vjet Hilmi Zenën për vdekjen e ish-bashkëshortes Kronikë Apeli lë në burg 2 vjet Hilmi Zenën për vdekjen e ish-bashkëshortes

Ankesa, që ishte pranuar 1 vit më herët, ishte zhdukur krejtësisht në Rahovec dhe Gjykata ka kërkuar që Prokuroria ta dorëzojë atë për herë të dytë.

Zyrtari përgjegjës për ta proceduar tutje ankesën, tani është në pension dhe në Gjykatë të Rahovecit kanë thënë se nuk mund të marrin masa kundër tij.

Antigona Morina vdiq 6 vjet më parë, tri ditë pasi u martua, për shkak të hemorragjisë së vazhdueshme, e burri i saj Hilmiu ishte akuzuar për mosofrim të ndihmës mjekësore dhe më pas ishte liruar nga akuzat.