Arbëri

Në Prizren hapet kuzhina popullore

Në Prizren u hap kuzhina popullore në të cilën mund të ushqehen familjet me asistencë sociale. Zyrtarët komunalë thonë se për këtë projekt kanë ndarë 50 mijë euro. Qytetarët shprehin fjalë miradije në adresë të komunës, transmeton televizioni publik. Projektin po e implementon shoqata “Jetimët e Ballkanit”.

Rreth treqind qytetarë të komunës së Prizrenit, të cilët posedojnë kartonin social mund të marrin një shujtë ditore nga komuna e Prizrenit. Kjo e fundit ditë më parë ka hapur kuzhinën popullore e cila do të jetë në dispozicion të familjeve me kushte të rënda ekonomike. Drejtoresha e punës dhe mirëqenies sociale Sherife Balaj i tha Radio Kosovës se projekti mund të zgjerohet marrë parasysh kërkesat e nevojtarëve të cilëve po u mungon edhe buka e gojës.

“Çdo projekt kur të finalizohet dhe kur fillon implementimin ndihesh mirë, sidomos për këto raste të cilat mezi kanë pritë të kenë një derë të hapur dhe me u ushqye me një ushqim kualitativ. Ne prej javës së kaluar kemi filluar. punën. Veç janë informuar të gjithë qytetarët e Prizrenit, pra të gjithë ata që janë në skemën sociale dhe posedojnë kartonin special”, tha Balaj.

Ndërkaq projektin po e implementon shoqata “Jetimët e Ballkanit”. Koordinatori Halil Kastrati falënderon komunën për mbështetjen sikurse edhe donatorët tjerë.

“Për ne është e mirëseardhur dhe një lehtësim i punës dhe aktiviteteve tona në kuadër te kuzhinës. Mund t’u them që kuzhina humanitare në Prizren është aktive qe gjashtë vite dhe nuk është ndalur asnjë ditë, por sivjet sofrën e bamirësisë, apo në vallen e bamirësisë e kemi Kuvendin Komunal”, tha Kastrati.

Për këtë projekt, komuna nga buxheti i saj ka ndarë 50 mije euro, ndërsa parashihet që vitin e ardhshëm shuma e mjeteve të rritet varësisht kërkesave të qytetarëve për ushqim.