Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në Prishtinë shpërndahen pajisje ndihmëse për personat me aftësi të kufizuar

Sot në Komunën e Prishtinës janë shpërndarë 500 pajisje ndihmëse për personat me aftësi të kufizuar.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ai ka thënë se po ashtu për personat në nevojë janë shpërndarë dhjetëra karroca dhe vetura elektrike.

I pari i komunës ka deklaruar se këto mjete i kanë pranuar donacion nga Norvegjia.

“Sot në Ditën Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocave së bashku me përfaqësues të HANDIKOS dhe HANDICAP Kosova e kemi bërë shpërndarjen e dhjetëra karrocave dhe veturave elektrike. E gjithë kjo falë një donacioni të mbi 500 pajisjeve ndihmëse për persona me aftësi të kufizuar që e kemi pranuar nga Norvegjia. Në emër të Komunës së Prishtinës dua të shpreh mirënjohjen e madhe për Shoqatën Fehmi Agani në Arendal, Norvegji, si dhe aktivistin e saj të jashtëzakonshëm, Besnik Ramadani. Falë kësaj ndihme mbi 500 persona me aftësi të kufizuar do kenë një jetë më të lehtë”, ka shkruar ai.