31 nga 38 komunat kanë marrë opinion të kualifikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit, e që flet për menaxhim të dobët të financave. E aktivistë të shoqërisë civile kanë paralajmëruar se në prag të zgjedhjeve lokale, rritet rreziku për përkeqësim të menaxhimit financiar
Mangësitë në regjistrat e pasurive, keqklasifikimi i shpenzimeve e hyrja në obligime kontraktuale pa mjete financiare për projekte milionëshe, janë disa nga faktorët që ndikuan në opinionet e kualifikuara që Zyra Kombëtare e Auditimit i dha raportet për 31 nga 38 komunat.
Selvije Kurti është menaxhere e projekteve në Institutin Demokratik të Kosovës dhe paralajmëron se sivjet situata me menaxhimin e parasë publike pritet të përkeqësohet, për shkak të ngutjes në përmbushjen e premtimeve në prag të fushatës zgjedhore.
“Pa dyshim që komunat, siç kanë bërë edhe më herët, dinë të zbatojnë projekte aty për aty dhe të bëjnë tejkalime që ndoshta pastaj edhe evidentohen në raporte, për të kryer punë para zgjedhjeve sa më shumë, edhe të mos i pyesin edhe aq mirë procedurat ose rregullat ligjore të cilat janë të përcaktuara. Zakonisht në prag të zgjedhjeve ndodh kjo që të kemi keqësim të situatës, sa i përket këtij menaxhimi të financave publike lokale dhe kjo është shqetësuese”, ka vlerësuar Kurti.
Numri më i madh i rekomandimeve që Zyra Kombëtare e Auditimit i dha sivjet janë për nivelin lokal. Nga gjithsej 765 rekomandime, 413 u referohen komunave.
Numri i rekomandimeve të përsëritura është pothuajse i njëjtë me atë të rekomandimeve të reja. Nga numri i përgjithshëm, sipas ZKA-së, 366 janë rekomandime të reja, 353 janë të përsëritura dhe 46 janë pjesërisht të përsëritura.
Kjo situatë, sipas Selvije Kurtit, tregon për mungesë përgjegjësie të institucioneve të nivelit lokal në menaxhimin e parasë publike dhe për mungesë trajtimi serioz të rekomandimeve të ZKA-së.
“Nuk ka një përgjegjshmëri në menaxhim të taksave të qytetarëve dhe është jashtëzakonisht shqetësuese që këtë vit kemi përkeqësim të situatës. Ju rikujtoj që vitin e kaluar ka qenë po ashtu me shumë sfida menaxhimi i taksave të qytetarëve”, është shprehur Kurti.
Përfaqësues të Zyrës Kombëtare të Auditimit, në konferencën përmbyllëse të sezonit auditues, kanë theksuar se cilësia e raportimit financiar është përkeqësuar, sidomos në nivelin lokal, krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas ZKA-së, 31 komuna do të diskualifikohen nga përfitimi i ndonjë granti qeveritar si pasojë e opinionit të kualifikuar, përkatësisht jo të mirë.