Arbëri

Britanisë i rekomandohet të marrë lidership në Ballkan

Takimi Kurti - Charles III

Foto: Associated Press

Dyfishimi i përpjekjeve diplomatike për njohjen e Kosovës nga shtetet e Bashkimit Evropian, është një prej tri rekomandimeve të nxjerra për Britaninë e Madhe nga një raport i think-tankut “New Diplomacy Project” me disa autorë, me në krye ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, George Robertson, për “Rivendosjen e lidershipit britanik në Ballkanin Perëndimor”.

Në prag të organizimit të samitit të Procesit të Berlinit në Londër, raporti nxjerr rekomandime se si duhet të veprojnë Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja për ta stabilizuar rajonin.

Sipas raportit, të realizuar nga një grup autorësh, me në krye ish-sekretarin e NATO-s, George Robertson, rekomandim i parë është që Britania e Madhe të marrë një rol udhëheqës për Ballkanin Perëndimor. Raporti thekson se Britania duhet të udhëheqë krijimin e Forcës së Përbashkët për Ballkanin, të propozuar së fundmi, e që do të kishte si vende kryesore të vendosjes Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën. Në rastin e Kosovës, kjo forcë, sipas raportit duhet të shërbejë si përkrahëse e KFOR-it. Me udhëheqjen britanike në Ballkan duhet të ketë edhe rritje të investimeve, sipas raportit.

Pikë e dytë është vlerësuar avokimi i domosdoshëm i Britanisë për zgjerimin e NATO-s. Aty është theksuar se Britania duhet të avokojë për zgjerim të NATO-s në Ballkan, duke përfshirë Kosovën e Bosnjë-Hercegovinën. Në këtë rast si pengesë për Kosovën janë shtetet mosnjohëse. E raporti thekson nevojën që Britania të rrisë përpjekjet diplomatike dhe të punojë si pjesë e QUINT-it (krahas Gjermanisë, Francës, Italisë dhe SHBA-së) për njohjen e Kosovës, duke marrë për bazë se Spanja, Sllovakia dhe Rumania e njohin shtetin e Palestinës. Po ashtu në këtë aspekt është përmendur edhe një marrëveshje bilaterale e sigurisë mes Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës, si sinjal për të bërë presion për pranimin e dy shteteve në NATO.

“Britania duhet të veprojë si ndërmjetëse e ndershme në rajon”, është pika e tretë e këshillave në raport. Në këtë pjesë thuhet se Britania duhet të ndërhyjë dhe të ndikojë në zgjidhjen e “dialogut në prag të vdekjes”, Kosovë-Serbi. Aty është theksuar se Britania duhet të bëjë presion agresiv për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës dhe të dyfishojë përpjekjet diplomatike për njohjen nga pesë shtetet e BE-së që refuzojnë njohjen e Kosovës.

Sfidat kryesore për Ballkanin janë vlerësuar ndikimi rus. Aty është thënë se sa i përket Kosovës, Serbia dhe Rusia kanë bashkëpunuar për të nxitur krizën më të madhe të sigurisë në Evropë jashtë luftës në Ukrainë. Në këtë rast është përmendur sulmi terrorist në Banjskë nga ekstremistë të lidhur me qeverinë e Aleksandar Vuçiqit. Raporti thekson se që nga ajo kohë, Qeveria e Kosovës ka investuar në armatim si përgjigje për kërcënimet. Pavarësisht kësaj, raporti thekson se ka dallim të madh në kapacitetet ushtarake të Kosovën me Serbinë. “Teksa trupat e udhëhequra nga NATO, KFOR-i, ofrojnë shtresë shtesë parandalimi, ekziston paqartësi strategjike sa i përket mënyrës se si misioni do të reagonte ndaj një pushtimi të mundshëm territorial të Mitrovicës së Veriut nga Serbia, e mbështetur nga Rusia. Kjo ndodh sepse vetë Kosova nuk është shtet anëtar i NATO-s dhe, rrjedhimisht, nuk mbrohet nga neni V i Aleancës. Për më tepër, forca paqeruajtëse e KFOR-it nuk ofron mekanizëm parandalues ndaj aktiviteteve nën pragun ushtarak, siç është ndërhyrja zgjedhore nga Serbia përmes mbështetjes aktive që i jep partisë serbe në Kosovë të përkrahur nga Beogradi, Lista Serbe”, thuhet në raport.

Si sfida në Ballkan janë përmendur edhe ndikimi i Kinës, migrimi ilegal dhe krimi i organizuar dhe humbja e besimit në Evropë.

Gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor do të takohen të mërkurën në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, që këtë vit mbahet në Londër.

Në samitin e 12-të me radhë që nga 2014-a pritet që të diskutohet për paqen dhe stabilitetin në rajon, për luftën kundër krimit të organizuar, bashkëpunimin ekonomik e ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.